Opinion

A ia vlen anëtarësimi në BE?

A ia vlen anëtarësimi në BE?

Nga Majlinda Bregu/ Për mendimin tim🤔

“Kostoja e mos-zgjerimit të 🇪🇺 do të ishte më e lartë se ajo e anëtarësimit.”

Ky është përfundimi i Komisionit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian, i miratuar dje, i cili e kornizon zgjerimin e 🇪🇺 si një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjeopolitike të Unionit.

Vonesa e zgjerimit rrezikon krijimin e zonave gri gjeopolitike, të cenueshme ndaj ndikimeve keqdashëse. Disa vende kandidate kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave, edhe pse 🇪🇺 ku do të anëtarësohen nuk do të jetë i njëjti Union si sot.

Përputhja e përfundimeve të AFET me konsultimet aktuale për Kuadrin e ardhshëm Financiar Shumëvjeçar të BE-së (MFF 2028–2034) e rikthen debatin te një e vërtetë e thjeshtë: paratë kanë rëndësi!

Nga shumë realitete që ndikojnë këtë debat, njëri është veçanërisht i vështirë për t’u injoruar (shpresoj): gjatë këtij cikli të MFF-së, disa vende që aktualisht janë në proces zgjerimi pritet të bëhen Shtete Anëtare të BE-së.

Drafti i ri buxhetor i BE-së, 2028–2034, me një vlerë afërsisht 2 trilionë euro, e vendos zgjerimin brenda kapitullit “Global Europe”, i cili arrin rreth 190–200 miliardë euro.
Brenda tij, Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi parashikohet të marrë rreth 42.6 miliardë euro, pra vetëm 2.2% të buxhetit total

Këto 42.6 miliardë euro aktualisht mbulojnë:
✅të gjitha vendet ne proces zgjerimi (pra edhe Ukrainën dhe Moldavinë plus 6 vendet e Ballkanit Perěndimor),
✅politikën e fqinjësisë,
✅dhe konkurrojnë me krizat globale, sigurinë, migracionin dhe prioritetet gjeopolitike.

Kjo arkitekturë ngre një pyetje themelore:

A po merr parasysh Plani i ri Financiar i Be-së edhe mundësinë e zgjerimit me anëtarë të rinj apo ka planifikuar gjithcka duke ruajtuar statusin aktual te vende kandidate?!

Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi anëtarësohen brenda 2034, financimi për frymë do të duhet domosdoshmërisht të rritet.

Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) marrin mesatarisht jo më shumë se 40 euro për frymë në vit.

Nëse Shqipëria anëtarësohet gjatë ciklit të ardhshëm Financiar 2028-2034
✅ajo del nga Global Europe Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi (ENI),
✅hyn në Politikën e Kohezionit, Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) dhe programet e brendshme të BE-së,

Shqipëria dhe Mali i Zi, dy vendet e radhës për anëtarësim, do të kenë nevojë për 500–1000 euro për frymë në vit, çka më çon sërish në këtë përfundim:

Nëse Kuadri i Ri financiar i BE-së,nuk parashikon një mekanizëm të qartë tranzicioni për anëtarësimin dhe supozon se zgjerimi mund të absorbohet pa ndryshime strukturore, atëherë 🇪🇺 po rrezikon të mbetet strukturalisht e papërgatitur pikërisht për atë rezultat politik që sot e quan prioritet strategjik!

Jo më i vogël është rreziku që një “luftë për buxhetin” mes vendeve anëtare të BE-së, ta kthejë anëtarësimin në një debat shifrash, në vend që të jetë një proces integrimi reformues, i menaxhuar dhe i planifikuar mirë.

Pikërisht për këtë arsye, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mblidhen së bashku dhe të kërkojnë qartësi për

🔜një portofol të dedikuar për zgjerimin, brenda ose paralel me “Global Europe”,
🔜një periudhë buxhetore tranzitore të qartë për te kaluar nga para-anëtarësimi në anëtarësim të plotë,
🔜një Buxhet Europian që përputh ambicien politike me planet afatmesme financiare dhe mbi te gjitha realitetin gjeopolitik.