My Sweet Tooth

A i dëmton pastrimi i gurëzave dhëmbët?

A i dëmton pastrimi i gurëzave dhëmbët?

Nga Albina Shehu/ Ndër vite ekziston mes pacientëve miti se pastrimi i gurëzave i dëmton dhëmbët dhe se nuk duhet bërë shpesh.

Si qëndron e vërteta?

Ky mit nuk është i vërtetë dhe ka dalë për arsyen e vetme se gjatë pastrimit të gurëzave pacienti ka ndjeshmëri dhe mundet të dalë gjak gjatë proçesit.

Po çfarë janë gurëzat dhe si formohen ato?

Goja është një ambient i cili ka nevojë për një higjienë të vazhdueshme, nëse dhëmbët nuk lahen brenda 12-24h formohet pllaka bakteriale, e cila përbehet nga mbetje ushqimesh, minerale të pështymës dhe mbeturina bakteriale. Formimi i pllakës bakteriale është diçka normale në një kavitet si goja, dhe nëse dhëmbët lahen në mëngjes dhe në darkë ajo largohet kollaj me furçë e pastë dhëmbësh, por nëse dhëmbët nuk lahen kjo pllakë bakteriale nga një shtrese e qullët në qafat e dhëmbëve nis e kalçifikohet. Sa me shumë kohë të kalojë aq më shumë shtresa mbivendosen.

Sa të dëmshme janë gurëzat për dhëmbët dhe indet përreth?

Kjo varet nga koha e qëndrimit të tyre në gojë. Prania e gurëzave në qafat e dhëmbëve inflamon pra irriton, skuq dhe enjt gingivat, duke na dhënë gjithashtu hemoragji të tyre, por edhe erë të rëndë. Ne dentistet rekomandojmë që gurëzat te pastrohen çdo 6 muaj, por në disa persona siç janë personat duhanpirës, ata qe prijnë shume kafe apo neglizhentë me higjienën orale ka nevojë që gurëzat të pastrohen dhe 2-3 herë gjatë vitit.

Nëse gurëzat nuk pastrohen dhe qëndrojnë për një kohe më të gjatë të gjatë në qafat e dhëmbëve atëherë inflamacioni do të zhvendoset në indet poshtë gingivës, që janë indi periodontal që mban dhëmbin në kockë si dhe në kockë. Në këto raste në shikojmë paciente me rrënjë të zhveshura, dhëmbë që kanë një lëvizshëmëri të shtuar dhe erë të rëndë të gojës.

Në të gjitha rastet që gingiva zhvesh rrënjet e dhëmbëve, kthimi i saj në nivelin e mëparshëm nuk është më i mundur.

Për një higjienë sa më te mirë e dhëmbë pa gurëza ne rekomandojmë të lahen dhëmbët 2-3 here në ditë, te përdoret fillli dentar, të përdoret një furçë e butë dhe të lahen për 3 minuta në tërësi. Pirja e ujit gjatë ditës ndihmon shumë në mosformimin e tyre, një gojë me pH acid krijon më shume gurëza dhe uji e neutralizon atë. PH acid krijohet pas konsumimit të vakteve, pas pirjes së kafes apo duhanit e sidomos ëmbëlsirave.