Opinion

“Europa po del nga historia”. Jérémie Gallon paralajmëron rrezikun gjeopolitik dhe mungesën e busullës strategjike

“Europa po del nga historia”. Jérémie Gallon
Në një intervistë për “Public Square” me Ditmir Bushatin, eksperti i politikës ndërkombëtare dhe autori Jérémie Gallon, drejtues për Europën i “McLarty Associates” dhe akademik i jashtëm në Këshillin e Atlantikut, theksoi se Europa po rrezikon të humbasë rolin e saj si aktor gjeopolitik dhe po shndërrohet gjithnjë e më shumë në spektatore të historisë.


Gallon, i cili ka botuar së fundmi një libër për Henry Kissinger, thekson se modeli i Kissinger-it ofron mësime thelbësore për Europën e sotme: një strategji të bazuar në histori, realizëm politik dhe aftësi për të kombinuar diplomacinë me fuqinë mbrojtëse.


Ai solli shembuj të krizave ku Europa ka marrë rolin e dëshmitarit, duke rikujtuar Ballkanin në vitet ’90, konfliktin në Siri dhe luftën e ditës së sotme në Ukrainë.


Sipas Gallon, Uashingtoni drejton negociatat, kurse Europa është në periferi të vendimmarrjes.


Një tjetër shqetësim i Gallon është fakti se brezi i ri i udhëheqësve amerikanë nuk e ka Europën në qendër të vizionit strategjik, çka e bën edhe më urgjente ndërtimin e autonomisë strategjike të BE-së.


Gallon paralajmëron se Europa nuk është e përgatitur për sfidat e presidencës së dytë të Donald Trump. Sipas tij, ekziston rreziku i varësisë ekonomie ndaj SHBA-ve.


Një tjetër pikë e dobët e Europës është mungesa e investimeve serioze për mbrojtjen.


Në fund, ndërhyrjet e Uashingtonit në politikën e brendshme europiane i konsideroi të papranueshme, por theksoi se përgjegjësia për rritjen e ekstremizmit qëndron tek vetë Europa.

Episodi i plotë