Monika Lubonja: Dikur thyenim tabu, sot mbushim minutazhin

Nga Monika Lubonja/ Në maj të vitit 2010 gjashtë gra të forta, me karaktere të ndryshme, por të mbledhura nga e njëjta nevojë për liri, për here të parë ngritën një emision ndryshe. Një hapësirë ku fjala vinte pa skenar të paracaktuar, ku guximi nuk censurohej dhe mendimet thuheshin troç, ashtu siç ishte.

Flisnim për libra, për filma, për muzikë, për kulturën dhe për jetën. Flisnim për temat që duhej thënë, për tabu që duhej thyer. Nuk ishim aty për të mbushur kohën, por për të sjellë ide, për të provokuar mendimin dhe për t’i dhënë publikut një dritare të re.

Në panel ishin katër gra që nuk e kursenin fjalën, shpesh duke i vënë burrat për here të parë, përballë sikletit e situata të së vërtetës. Pas tyre, autorja dhe skenaristja ruanin frymën dhe autenticitetin e projektit. Një nga emisionet më të ndjekura të atyre viteve, sigurisht nuk kishim instagram në atë kohë por publiku e ndjeu ndryshimin.

Sot, kur ndez televizorin, gjen panele të mbushura me ngjarje rozë, me biseda të lehta që ekzistojnë vetëm për klikime. Fjala e lirë është zëvendësuar nga fjala e konsumit të shpejtë. Dikur thyenim tabu, sot mbushim minutazhin.

Për mua, ai emision mbetet një nga projektet më të bukura dhe më të fuqishme që kam realizuar. Një kujtim i një kohe kur gjashtë gra vendosën të flasin lirshëm dhe u dëgjuan.
Dje ishim tek fjala e lirë, sot jemi tek fjala e lehtë.
Një kujtim i një lirie që sot mungon.
Monika Lubonja, Mimoza Ahmeti, Elvira Diamati, Mirela Bogdani.
Flutura Gjeli – autorja, Bjeta Sulo- skenaristja.
“Digitalb”, maj 2010 - 2013.