
Nga Enver Robelli/ Kjo ishte ndër javët më të bujshme të këtij viti. U bëmë bashkë herë tre, herë katër veta, blemë zarfa e pako dhe si vullnetarë në vreshta paketuam librin “Një ditë tjetër…” të Mira Kazhanit për ta dërguar anekënd Europës.
Më të thjeshtat për t’i shkruar na u dukën adresat në Zvicër e Itali, pastaj në Gjermani. Në Itali adresat bartin me vete edhe një freski romantike: Via Dante! Via Roma! Via Milano! Do të pyesni cilat janë adresat më të ndërlikuara? Ato të Anglisë. Si formula matematike! Por prapë interesante: “2Q H56, flat 37” - kështu disi.
Një lexues nga Greqia na e kishte dërguar emrin dhe mbiemrin me shkronja shqipe, pjesën tjetër të adresës me shkronja greke. Shpresoj që postieri grek të mos më mallkojë kur ta shoh adresën e shkruar nga unë. Dorëzuam në postë libra për në Spanjë, Norvegji, Suedi, Çeki, Francë, Austri - krahas Italisë, Gjermanisë, Zvicrës, Britanisë së Madhe.
Në librin e saj sa të thekshëm aq edhe emocional e të sinqertë Mira Kazhani i merr lexonjësit me vete në një udhëtim të guximshëm të përballjes me kancerin në gji. Edhe pak ditë fillon tetori rozë - muaji i vetëdijësimit të grave mbi temën e kancerit në gji. Së bashku mund të sjellim ndryshime në vetëdije dhe të shpëtojmë jetë.
Kanceri i gjirit është kanceri më i shfaqur te gratë. Tek shumica e grave kjo sëmundje mund të trajtohet dhe të shërohet mirë. Zbulimi i hershëm e përmirëson rrjedhën e sëmundjes. Prandaj çdo grua duhet t’i nënshtrohet rregullisht kontrolleve mjekësore dhe të vizitohet nga një mjeke ose mjek specialist gjatë kontrolleve vjetore. Përveç kësaj, për gratë mbi 50 vjeç, mamografia është metoda e përshtatshme për zbulimin e hershëm. Libri i Mira Kazhanit është jo vetëm një rrëfim personal, është edhe një doracak për të gjetur veten në betejën kundër kancerit.
Librin “Një ditë tjetër…”, botim i shtëpisë botuese “Dora D’Istria” në Zürich, mund ta porosisni në këtë webfaqe: www.dorabooks.com