Opinion

New York Times për Diellën e Shqipërisë dhe pasojat e qeverisjes nga algoritmet

New York Times për Diellën e Shqipërisë dhe pasojat e


Nga Eric Schmidt dhe Andrew Sorota

Z. Schmidt është ish-drejtor ekzekutiv dhe kryetar i Google. Z. Sorota është drejtues i kërkimeve të tij.


Shqipëria është vendi i parë që ka bërë një hap të vërtetë drejt “algokracisë” - qeverisjes nga algoritmet.

Në shtator, kryeministri i saj njoftoi se të gjitha vendimet që lidhen me përzgjedhjen e furnitorëve privatë që do të ofrojnë mallra dhe shërbime për qeverinë - me vlerë mbi 1 miliard dollarë në vit - do të merren nga një avatar i inteligjencës artificiale, i quajtur Diella.

Shqipëria ka vuajtur prej kohësh nga korrupsioni, veçanërisht në këtë fushë. Diella, e paanshme dhe e aftë, shihet si zgjidhja.

Është një shkëmbim tundues: kur sistemet demokratike dështojnë, thjesht zëvendësoji me ato algoritmike. Por ky është reagimi i gabuar. Algoritmet mund të përmirësojnë efikasitetin, por nuk mund të zgjedhin mes vlerave të kundërta - zgjedhje që janë në thelb të politikës demokratike. Pa transparencë mbi mënyrën se si Diella arrin në përfundimet e saj dhe pa mekanizma për të sfiduar vendimet e saj, qytetarët do të ndihen të padrejtësuar dhe pa asnjë mjet për t’u ankuar.

Në vend që të zëvendësojmë demokracinë me inteligjencë artificiale, duhet ta përdorim atë për ta rigjallëruar demokracinë - ta bëjmë më të përgjegjshme, më përfshirëse dhe më të denjë për besimin publik.

Fatkeqësisht, nuk jemi në këtë rrugë.

Shumica e të rriturve në 12 vende të pasura shprehen të pakënaqur me mënyrën se si funksionon demokracia. Kjo pakënaqësi po shfaqet në protesta të dhunshme, vitrina të thyera dhe rrugë të mbushura me gaz lotsjellës - një valë e pafund revoltash kundër qeverive që perceptohen si të shkëputura, joefikase dhe të korruptuara.

Ndërkohë, sistemet e A.I. po përmirësohen me shpejtësi. Tashmë kemi modele që tejkalojnë aftësitë njerëzore në fusha si gjeometria dhe imazheria mjekësore. Edhe publiku po bëhet gjithnjë e më i njohur me këtë teknologji - edhe pse amerikanët e përdorin dukshëm më pak se shumë vende të tjera, veçanërisht Kina.

Ndoshta nuk është çudi që njerëzit në mbarë botën tashmë u besojnë më shumë sistemeve të reja të A.I.-së sesa institucioneve demokratike ekzistuese. Tre raunde sondazhesh të zhvilluara nga Collective Intelligence Project midis marsit dhe gushtit 2025 treguan vazhdimisht se njerëzit besonin që chatbot-ët e A.I. do të merrnin vendime më të mira për ta sesa përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.

Ky model është po aq i vjetër sa vetë politika: kur demokracia dështon të japë rezultate, njerëzit kthehen nga udhëheqësit autoritarë - ose tani, nga algoritmet - në kërkim të kompetencës mbi kaosin.

Por zëvendësimi i debatit demokratik me efikasitetin algoritmik nuk e zgjidh krizën thelbësore. Ai thjesht zëvendëson një formë distance midis njerëzve dhe pushtetit me një tjetër. Kur algoritmet përcaktojnë buxhete apo përfitime publike pa asnjë shpjegim dhe pa të drejtë ankese, rezultati është i njëjtë: zhgënjim dhe mosbesim - por këtë herë, pa asnjë person për t’u mbajtur përgjegjës. Me dinjitetin njerëzor të lënë pas dore, ndarjet shoqërore thellohen dhe besimi tretet edhe më shumë.

Këto probleme shtohen mbi rreziqet ekzistuese të A.I. Algoritmet e sotme, të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, janë ndërtuar mbi modele biznesi ku konflikti sjell fitim. Zemërimi i mban njerëzit të lidhur me ekranin; për rrjedhojë, sistemet e renditjes nxjerrin në pah përmbajtjen më përçarëse, duke copëzuar diskursin publik dhe duke na futur në “dhoma jehone” ku konsensusi duket i pamundur. Me rritjen e fuqisë së A.I. dhe aftësisë së saj për manipulim ideologjik, këto kërcënime do të bëhen edhe më të mëdha.

Për të shpëtuar demokracinë, Amerika ka nevojë për një rrugë tjetër: një që e përdor A.I. për t’u dhënë njerëzve më shumë zë në politikat publike dhe rezultate më të mira.

A.I. mund të ndihmojë qeveritë të jenë më efikase - duke ulur burokracinë, përmirësuar shërbimet publike dhe hapur procesin vendimmarrës ndaj publikut. Në Tajvan, platforma vTaiwan ka demonstruar për më shumë se një dekadë se si A.I. mund të forcojë, e jo të zëvendësojë, demokracinë.

Kur Uber mbërriti në Tajvan në vitin 2013, shpërtheu i njëjti konflikt që ndodhi në shumë qytete: taksistë kundër pasagjerëve, të vjetër kundër të rinjve, rregullim kundër inovacionit. Në vend që t’u jepte hapësirë më të zhurmshmëve apo të linte lobistët dhe burokratët të vendosnin pas dyerve të mbyllura, Tajvani përdori mjete të fuqizuara nga A.I. për të mundësuar një debate masive publike.

Mijëra qytetarë dorëzuan komente dhe votuan për propozimet e të tjerëve. A.I. nuk mori vendime; ajo hartoi peizazhin e opinionit publik, duke nxjerrë në pah idetë që bashkonin njerëzit në vend që t’i ndanin. Rezultati ishte një ligj i bazuar në inteligjencën kolektive. Për Uber, kjo nënkuptonte leje për të vazhduar aktivitetin, me kusht që shoferët të ishin të siguruar, të licencuar dhe të mos ulën tarifat e taksive. Tajvani e ka përdorur këtë metodë në dhjetëra çështje të tjera, duke ndërtuar besim dhe duke treguar se A.I. mund të shërbejë si infrastrukturë për arsyetim demokratik në shkallë të gjerë.

Demokracia gjithmonë ka qenë e kufizuar nga logjistika: nuk mund të futësh miliona njerëz në një dhomë, as të dëgjosh të gjithë, as të përpunosh kaq shumë perspektiva. A.I. mund të heqë këto kufizime, duke përmbledhur mijëra komente, duke identifikuar shqetësimet e përbashkëta dhe duke ndihmuar politikëbërësit të kuptojnë prioritetet e qytetarëve. Ajo mund të e bëjë tekstet ligjore të kuptueshme për qytetarët e zakonshëm, të shpjegojë kompromiset me fjalë të thjeshta dhe të ndihmojë njerëzit të artikulojnë preferencat e tyre. Madje mund të zgjerojë debatin përtej kufijve dhe gjuhëve, duke mundësuar bashkëpunim global në mënyra dikur të paimagjinueshme.

Por kjo mundësi nuk do të zgjasë pafundësisht. Çdo muaj që demokracitë mbeten jofunksionale ndërsa aftësitë e A.I. rriten, “algokracia” bëhet më tërheqëse. Mbetet për t’u parë nëse Diella do të çrrënjosë korrupsionin në Shqipëri apo do të shtojë një tjetër shtresë errësire mbi qeverisjen. Por ajo me siguri do të ketë ndjekës - sidomos në vende me korrupsion të lartë dhe institucione të dobëta.


E ardhmja e demokracisë nuk kërkon të refuzojmë A.I. Përkundrazi, kemi nevojë për të që demokracia të funksionojë në shekullin XXI. Por duhet të jemi të kujdesshëm për atë që i kërkojmë: jo të vendosë në vendin tonë, por të na ndihmojë të qeverisim më mirë vetë.