
Nga Fabjola Hije/ Big Brother është një format që premton shumë: rikthim në vëmendjen e publikut, ekspozim maksimal, marketing falas dhe, pse jo, edhe një çmim financiar në fund. Por historia ka treguar se për figurat e njohura, hyrja në këtë shtëpi shpesh ka më shumë kosto sesa përfitim. Sepse Big Brother nuk nxjerr vetëm personazhin publik, nxjerr njeriun real, me dobësi, ndonjëherë të kuptuar e të nxjerrë lakuriq, ndonjëherë të keqkuptuar.
Rasti më i freskët është ai i Mirit të West Side Family. Një artist me mbi 25 vite karrierë, pjesë e një prej grupeve muzikore më të dashura shqiptare, që për vite është identifikuar me hite, me historinë e bukur të grupit dhe me lidhjen njerëzore mes anëtarëve të tij, përfshirë edhe respektin ndaj kujtimit të Dr. Flori. Por mjaftoi një sfidë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania dhe dinamika e lojës me një banore më të re në moshë, për të kthyer narrativën publike për të. Në rrjete sociale dhe në debatet televizive, marrëdhënia e tij me Selin u komentua si diçka më shumë, pavarësisht deklaratave të tij se nuk ka ndjenja romantike.
Madje debati u ndez edhe më shumë pas një deklarate publike ku babai i Selin kërkonte ndërhyrje psikologjike për Mirin, duke e akuzuar për perversitet. Brenda pak ditësh, një figurë që identifikohej me muzikën dhe familjen, nisi të etiketohej me terma të rëndë, një transformim ekstrem i imazhit publik.
Dhe Miri nuk është i vetmi. Kujtesa është ende e freskët për rastin e Fifi, e cila gjatë një debati në prime humbi ndjenjat dhe më pas u largua nga shtëpia për shkak të ngarkesës emocionale.
Po ashtu, aktori Amos Zaharia, i njohur për talentin dhe karrierën artistike, u përball me një valë të madhe reagimesh negative, pjesërisht për humorin e tij të zi dhe për përplasjet me Luiz Ejllin, i cili në atë kohë kishte fituar zemrat e publikut.
Edhe Eva Alikaj, një emër i dashur i kinematografisë shqiptare, e njohur për role ikonike si Elsa e “Pallatit 176”, e sa e sa role në kinematografi u largua me zarf të zi pas një debati brenda shtëpisë, një fund i papritur për një figurë që publiku e kishte lidhur me nostalgjinë.
Një tjetër rast ishte ai i sportistit Klodjan Duro, i cili u përjashtua pothuajse menjëherë pas hyrjes, pas një deklarate të papranueshme gjatë një darke në shtëpi. Një moment që ndryshoi menjëherë perceptimin publik ndaj tij, teksa i tha një banori: Unë kam rrahur gruan, e s`po të rrah ty.
Këto raste, që s`janë të vetmet, tregojnë një të vërtetë të thjeshtë: Big Brother është një makinë që prodhon histori, por shpesh konsumon figurat që futen brenda saj. Artistët e njohur hyjnë me një kapital të ndërtuar ndër vite, reputacion, respekt, kujtime kolektive dhe dalin prej aty të reduktuar në disa momente virale, në disa debate apo etiketime që i ndjekin gjatë.