Opinion

Televizionet kombëtare: njëri me puthje, tjetri me grushte. A mos është vetëm fillimi i fundit?

Televizionet kombëtare: njëri me puthje, tjetri me grushte. A mos

Nga Fabjola Hije/ Në më pak se 24 orë, dy prej televizioneve kombëtare në vend u kthyen në qendër diskutimi, jo për debat, jo për argument, por për skena që ngritën pikëpyetje serioze mbi kufirin mes spektaklit dhe përgjegjësisë publike.

Në emisionin Përputhen, një format që prej kohësh kritikohet si hapësirë ku vulgariteti shpesh shitet si sukses dhe klikim, opinionisti Laert Vasili u ngrit dhe puthi një konkurrente. Por e bëri papritur dhe pa dëshirën e saj. Në një televizion kombëtar. Në të njëjtin, ku si konkurrent i Big Brother disa muaj më parë rrëfeu sesi ishte abuzuar seksualisht kur ishte vetëm 7 vjeç.

E meqë erdhëm tek Big Brother, është e vështirë të mos vërehet edhe në sezonin e ri, një tendencë e qartë: nxitja e situatave ekstreme për t’i kthyer më pas në “mësime morali” në prime time. Konflikte, ofendime, tensione që afrohen gjithnjë e më shumë me përplasje fizike, një cikël ku shikuesi sheh brenda 24 orësh, se deri ku mund të shkojë sjellja njerëzore kur spektakli vendoset mbi gjithçka.

Po nëse në Big Brother ende s'ka arritur deri në grushte, në Opinion ndodhi.

Në emisionin politik më të ndjekur në vend, Opinion, përveç shkopit të Blendi Fevziut me Artan Lamen e ndjerë, kurrë nuk kishte mbërritur situata në kacafytje fizike. Kish pasur fyerje dhe gjuhë urrejtje, por jo deri në ring boksi që pastaj si pa të keq u shoqërua me një video paqeje në publicitet.

Dy skena, dy formate të ndryshme, por i njëjti reflektim: a është ky vetëm fillimi i fundit të televizionit?