Dashuria nuk është kurrë një arratisje, por një rrugë drejt së vërtetës
Julian Barnes, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohorë anglezë, autor i romaneve si “Enigma e një fundi”, “Zhurma e Kohës” apo “Papagalli i Floberit” nderohet edhe në Panairin e Librit të Torinos. Përpara se të marrë çmimin “Mondello”, zhvillon këtë intervistë nga Londra.
A është kjo studio juaj, në shtëpinë tuaj në Londrën veriore?
Po, kjo është.
Pse të gjitha muret e verdha?
Më kujtojnë shkëlqimin e diellit. Janë kështu prej 40 vitesh. Më parë, dëshiroja një tjetër ngjyrë.
Cilën?
Të gjelbrën e errët: ngjyrë e qetë, e përdornin në spitale për gratë shtatzëna, për t’i qetësuar gjatë lindjes. Pastaj kuptova se e verdha është ngjyra e krijimit letrar, ndryshe nga krijimi njerëzor.
Shpesh herë ju i ndani romanet në pjesë dhe tematika. Sot, në moshën 77 vjeçare, në ç’kapitull të jetës suaj jeni?
Disa kohë më parë erdhi një gazetar belg për të më intervistuar dhe më provokoi duke më thënë: "Ti je 77 vjeç, je i bardhë dhe nuk do ta fitosh kurrë Nobelin. Sa zemërohesh kundër zvetënimit të dritës?".
Citim nga Dylan Thomas... Dhe ju si iu përgjigjët?
Duke cituar shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, 87 vjeç: Ka shkruar një kryevepër si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe ndoshta as ai s’do ta fitojë kurrë Nobelin.
Eh, më mirë se shakaja që disa të panjohur i bënë shkrimtarit John Banville, duke i thënë se e kishte fituar.
Vërtetë? Po s’ka gjë, Nobeli është si bingo.
Ama ju në vitin 2011 fituat “Booker Prize” për librin e mrekullueshëm “Enigma e një fundi”.
Po, por kam një histori edhe më të bukur se ajo.
Cila?
Hugo Claus, shkrimtari belg, preferonte që të mos qëndronte në shtëpi ditën që akordohej çmimi Nobel. Ama në vitin 1994 shkoi në Japoni për të takuar shkrimtarin Kenzaburo Oe. Dhe kush fitoi?
Kenzaburo Oe!
Pikërisht. I gjori Claus. Vdiq me eutanazi në vitin 2008. Në fillesat e alzaimerit u kërkoi miqve që ta vrisnin kur t’i ikte truri. Bëri gjënë e duhur.
A do të bënit edhe ju të njëjtën gjë?
Shpresoj të kem të njëjtën kurajë nëse do të gjendem në një situatë të ngjashme. Sigurisht që këtu është e ndaluar, duhet të vdes në Belgjikë ose në Zvicër.
A keni frikë nga vdekja?
Kam pasur më shumë kur isha më i ri. Deri 10-15 vite më parë zgjohesha natën dhe bërtisja, kisha ankthe sikur po vdisja. Ndërsa sot kam një qasje më filozofike: miqtë e mi tashmë vdesin njëri pas tjetrit, i fshij numrat e tyre nga celulari, nuk do të ketë tjetër jetë. Më mirë të shijojmë këtë që kemi. Pastaj, në këtë moshë që jam unë, i kam thënë tashmë “mirëupafshim” rinisë, ndaj nuk përbën ndonjë ndryshim…
Çfarë përbën ndryshim në moshën tuaj?
Kam shkruar mbi njëzetë libra, 14 prej të cilëve romane, por gjendem gjithmonë në një udhëkryq: është më e lehtë sepse krijon eksperiencë, por druaj se mos bëhem përsëritës. Në çdo rast, siç thoshte gruaja ime që ishte edhe agjentja ime letrare, Pat Kavanagh, e cila vdiq në vitin 2008, do të ndalem vetëm nëse gjejnë një term tjetër për “pension”, ose nëse botuesi do të më përplasë pas murit për të thënë: “Mjaft, nuk mund ta bësh më këtë punë!”.
Dashuria, që përshkon gjithë letërsinë tuaj, si ndryshoi me mungesën e të adhuruarës Pat?
Siç themi në Angli, mind your own business... (qesh).
Por nuk doja të rrëmoja brenda intimitetit tuaj. Kërkoj këndvështrimin filozofik.
Kur je i dashuruar kuptohen më mirë edhe jeta, edhe bota, dhe ky është rasti im. Dashuria nuk është kurrë një arratisje, por një rrugë drejt së vërtetës.
Këtë e keni shkruar edhe në romanin “Një histori e botës në 10 kapituj e gjysmë”.
Oh, jo! E shihni pra që ndoshta bëhem përsëritës?
Duke folur për të vërtetën: a keni frikë se inteligjenca artificiale (AI) mund ta zëvendësojë atë?
Jo. Përgjatë historisë kanë ekzistuar gjithmonë shtrembërimet e së vërtetës, nga perandoritë te kisha e deri te Makiaveli. Vetëm mjetet ndryshojnë, sigurisht shqetësuese. Të paktën, sinjalizuesit nuk do të vdesin kurrë. Dhe atëherë e vërteta 100% objektive nuk ekziston, siç shkruante George Orwell. Por sigurisht 66% është më mirë se 55%, nuk mendoni?
Ju jeni bir mësuesish. Shkollat dhe universitetet shërbejnë si sfond i romaneve tuaj. A nuk druheni se brezat e rinj do të mësojnë gjithmonë e më pak me Inteligjencën Artificiale?
Më shumë u frikësohem huave që të rinjtë sot duhet të marrin për të shkuar në universitet, apo se gjithnjë e më pak anglezë studiojnë gjuhë të huaja. Ka një varfërim kolektiv në Angli: kjo ndodh me vendet izolacioniste....
Epo libri juaj “England England” është edhe një profeci e jashtëzakonshme e Brexit, me Anglinë jashtë BE-së.
Në fakt, unë kam qenë gjithmonë një pro-europian i palëkundur dhe Brexit u sanksionua me një referendum pas një fushate të pandershme. Për më tepër, e keni parë kurorëzimin e Mbretit Charles?
Sigurisht.
Sa absurde: një pantomimë alla Lewis Carroll. Por edhe shumë njerëzim pas shkëlqimit. Unë jam republikan por funeralin e mbretëreshës dhe kurorëzimin e mbretit e kam ndjekur nga sekonda e parë deri në të fundit. Sepse, në fund të fundit, ata janë një Familje Mbretërore me shumë të meta dhe dobësi. Si ne.
*Julian Barnes është shkrimtar anglez, i nderuar me shumë çmime letrare ndër të cilët “Man Booker Prize”, “Prix Femina” dhe “Jerusalem Prize”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.