“E pluribus unum”, e vetmja utopi e arsyeshme që kemi krijuar
Autokracia kundër demokracisë. Populizmi nacionalist kundër Europës federale. Por edhe e majta vulgare e deklamuese kundër të majtës së barazisë dhe drejtësisë sociale. Shkrimtari aq shumë i dashur spanjoll, Javier Cercas, nuk e konsideron veten intelektual. “Për shumë kohë më ka tmerruar thjesht ideja se ndokush mund të më shtynte të bëhesha i tillë”. Por prej shumë vitesh tashmë ka pranuar të ndërhyjë në debatin publik europian, me artikuj dhe ligjërata që tashmë janë përmbledhur në librin “Gjuajtje qorre”. Më 18 janar të këtij viti, gazeta spanjolle “El País” botoi tekstin e një bisede të gjatë në Pallatin Elize me presidentin francez Emmanuel Macron, që siç e përshkroi media spanjolle, një takim “i më intelektualit të liderëve europianë dhe shkrimtarit që ka rrëmuar si pak të tjerë, mekanizmat e pushtetit”.
Keni shkruar se “tema e kohës sonë është kriza e demokracisë, që nuk përfaqëson një klishe boshe, por një realitet të prekshëm”.
Ka përfunduar optimizmi tipik i fundit të shekullit të kaluar. Ka marrë fund ideja, sipas së cilës demokracia në disa vende dhe në disa rrethana të caktuara, është “the only game in town”. Edhe brenda Bashkimit Europian demokracia është në rrezik, si në Hungari, apo Poloni. U duk pas vitit 2008. Kriza ekonomike e vitit 2008 është e krahasueshme me atë të vitit 1929. Kriza e vitit 1929, siç shumë mirë e dimë, çoi në ngritjen ose konsolidimin e fashizmit dhe totalitarizmit dhe në Luftën e Dytë Botërore. Kriza e vitit 2008 solli ngritjen ose konsolidimin e asaj që unë e quaj populizëm nacionalist. Në shekullin e njëzetë, fashizmi nuk ishte nazizëm, që nga ana tjetër nuk ishte falangizëm. Kështu edhe nacional-populizmi ndryshon fytyrë nga njëri vend në tjetrin: Donald Trump dhe Brexit, Katalonja dhe Bolsonaro në Brazil. Të përbashkëta janë nacionalizmi radikal dhe skepticizmi ndaj demokracisë, sigurisht shumë të ndryshëm nga një shekull më parë. Për mua ky është problemi kryesor. Dhe e shohim me luftën në Ukrainë. Pushtimi ka shkaqe të brendshme në Rusi, ka një krizë ekzistenciale të Rusisë, Putini i ka dhënë një përgjigje perandorake kësaj pyetjeje, por kjo luftë duhet vendosur në kontekst më të gjerë. Është manifestimi i parë luftarak në shkallë të gjerë i nacional-populizmit. Putini ishte i rëndësishëm për Trump-in, ai mbështeti Brexit-in dhe separatizmin katalanas, financoi disa parti nacionaliste europiane, ishte shumë i vendosur për t'i bërë demokracitë më të dobëta dhe më të brishta. Kjo është sfida e madhe sot, mes demokracisë dhe autokracisë.
Kjo luftë ishte në qendër të bashkëbisedimit tuaj me presidentin Macron. Thatë se lufta në Ukrainë mund të jetë prologu. Po, por prologu i kujt?
Me Macron-in provova të bëja një paralelizëm historik, me një mijë paralajmërime mes asaj që ndodhi në Spanjë në vitet ’30 dhe asaj që po ndodh sot në Ukrainë. Në Spanjë luftohej mes demokracisë dhe totalitarizmit, dhe Spanja u braktis nga sistemet demokratike europiane. Këtë i thashë presidentit francez në Pallatin Elize. Hitleri dhe Musolini mbështetën Frankon dhe rezultati për Spanjën nuk ishte tre vjet luftë, por 40, sepse frankizmi ishte vazhdimi i luftës me mjete të tjera. Sot, për fat të mirë, Europa demokratike po e mbështet Ukrainën, po bën atë që nuk bëri me Spanjën në vitet ‘30. Ukrainasit luftojnë për vlerat tona, e di që në këtë luftë jo të gjithë besojnë te demokracia, por kjo ndodhi edhe në Spanjë. I thashë Macron-it se lufta në Spanjë ishte prologu i luftës botërore. Dhe ngrita me të pyetjen nëse lufta në Ukrainë mund të jetë fillimi i diçkaje më të keqe. Macron u përgjigj se shqetësimi i tij kryesor, i përbashkët me Europën dhe me amerikanët, ishte të mbështeste Ukrainën dhe në të njëjtën kohë të shmangte zgjatjen e luftës që do të kthehej në një konflikt botëror. Ky ekuilibër është i brishtë dhe i rrezikshëm. Unë i përkas brezit të parë të europianëve që nuk kanë njohur luftë mes fuqive të mëdha në Europë, përveç asaj në ish-Jugosllavi. Menduam se Europa e bashkuar do të na ruante nga lufta, por shohim se nuk është kështu. Rreziku i luftës së madhe ekziston. Nuk mund të përjashtojmë se ka mundësi reale për luftë. Stefan Cvajg shkruante në vitet 1913-1914 se për europianët e kohës së tij, të flisje për luftën ishte si të flisje për fantazmat, si një gjë joreale. Por gjithçka mori fund. Prandaj nuk jam i qetë.
Askush nuk mund të jetë. Unë do të shtoja se shumë shohin një Europë të munguar, të kushtëzuar shumë nga interesat e shteteve përbërëse, veçanërisht të atyre më të fortëve. A është Europa e Bashkuar ende një ide e mirë?
Ndihem një europian ekstremist, shprehje nga Erri De Luca kjo. Europa është e vetmja utopi e arsyeshme që ne europianët kemi shpikur, në kuptimin më të pastër të fjalës. Europa ka qenë prej shekujsh vendi ku therëm njëri-tjetrin, dhe periudha jonë e pasluftës ishte periudha më e gjatë e paqes që nga lufta e Trojës. Në shekullin e njëzetë, ne shpikëm disa utopi mizore, vrastare, ndërsa kjo është e vetmja që ka vetitë për të ruajtur paqen. Prandaj është një projekt revolucionar: vende të ndryshme, me gjuhë dhe kultura të ndryshme, bashkohen pasi kanë luftuar për shekuj. Nëse do të duhej ta thoja me një slogan, do të zgjidhja “e pluribus unum”: Nga shumë, një. Është projekti më i madh i shekullit tonë. Por unë nuk di nëse europianët janë në lartësinë e këtij projekti. Në këtë pikë kam pasur një mosmarrëveshje me presidentin Macron. Mendoj se projekti europian ka problemin e të qenit elitar. Pas luftës botërore, disa politikanë italianë, gjermanë dhe francezë hodhën hipotezën për një Europë të bashkuar. Por ende nuk është bërë një projekt popullor. Macron më tha se nuk është e vërtetë, se Europa është popullore, se njerëzit e quajnë të rëndësishme euron, se gjatë pandemisë Europa ekzistoi. Por italianët fillimisht u ndjenë të braktisur, ashtu siç ndodh sot në krizat e migracionit. Është e vërtetë që njerëzit janë të vetëdijshëm për Europën, por nuk e ndiejnë kaq të rëndësishme atë. Ka një mungesë të mbështetjes popullore, sentimentale. Për ta arritur, duhet të bëjmë një revolucion, t'i japim fund izolimit, duhet të braktisim një botëkuptim nacionalist të mishëruar prej përjashtimit të identiteteve dhe të arrijmë në federalizëm, me sovranitete të përbashkëta, me identitete komplekse. Një revolucion i domosdoshëm.
Në vitin 2019 iu kundërvutë atyre që bllokuan një anije në Mesdhe, në atë kohë ishte ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini me “Open Arms”. Sot përsëri lufta politike po bëhet rreth emigrantëve. E ndërkohë pak ditë më parë pati të tjera vdekje gjatë lundrimit.
E kuptoj fare mirë që emigracioni nuk është një problem i lehtë, se duhet të kemi një politikë serioze në Afrikë. Nuk është problem i Italisë dhe i Spanjës, është problem i gjithë Europës. Por nuk mund të pranohet që teksa ka njerëz në det, gra, fëmijë, burra, qeveritë pyesin se çfarë të bëjnë. Kjo nuk është një pyetje politike, është një pyetje që vjen përpara politikës. Është morale, etike. Para së gjithash këta njerëz duhet të shpëtohen, pastaj të bëhet diskutimi. Më indinjon mendimi se në det ka njerëz të dënuar me vdekje, vetëm sepse duan të vijnë në Europë.
Do të doja ta përfundoja bashkëbisedimin tonë me një shpresë për ndryshim. Thoni se kjo koha jonë nuk është as e luftës, as e demokracisë, por është e grave. Pse?
Sepse revolucioni i madh i kësaj kohe është revolucioni i grave. Mjaft të mendoni se që në fillimet e historisë, gjysma e njerëzimit ka qenë në shërbim të gjysmës tjetër, madje Aristoteli ka shkruar se gratë janë qenie inferiore, dhe këtu po flasim për pikën më të lartë të qytetërimit perëndimor. Në Spanjë, deri njëzet vjet më parë, gratë e vrara nga burrat as që nuk numëroheshin. Të drejtat e barabarta midis burrave dhe grave përbëjnë një revolucion total që nuk është vetëm për gratë, sepse pa burrat ky revolucion është i pamundur. Është çështje dinjiteti, drejtësie, por jo vetëm kaq. Është një çështje politike, intelektuale.
*Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i 12 romaneve, në shqip janë përkthyer librat e tij “Mashtruesi”, “Ushtarët e Salaminës” dhe “Monarku i hijeve”. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.