Shënime në Blog

Futbolli: Historitë e një misteri të rrumbullakët

Futbolli: Historitë e një misteri të rrumbullakët

Nga Enric González/ Për aq sa arrij të mbaj mend, ekzistojnë vetëm dy fenomene të mëdha shoqërore që nuk kanë lindur falë ndonjë progresi teknologjik: feja dhe futbolli. Nuk kam për qëllim t’i vë përballë njëri-tjetrit, edhe pse ka nga ata që e kanë bërë. Për shembull Manuel Vázquez Montalbán, në librin “Futbolli. Një fe në kërkim të zotit të saj”. Dhe nuk ka qenë i vetmi. Mjaftohem me konstatimin se të dy fenomenet kënaqin (ose të paktën kanë kënaqur), në nivele të ndryshme nevojat njerëzore.

Në rastin e futbollit, forma e tij aktuale (sepse ka pasur shumë të tilla) u përcaktua në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë në universitetet britanike dhe mori një hov të jashtëzakonshëm në lagjet e populluara të gjysmës së botës (në gjysmën tjetër u desh pak më shumë kohë), ku miliona njerëz të zhvendosur nga fshatrat në qytete dhe subjekte të tjetërsimit prej industrisë dhe jetës moderne, gjetën një ndjesi përkatësie apo një lloj besimi tek fusha e lojës.

Që prej fillimit, futbolli ka qenë shumë më tepër se një lojë me top. Ishte një lojë, por edhe një vorbull rrethanash. Ishin rrethanat dhe ndikimi i tyre te njerëzit dhe te shoqëria që tërhoqën shkrimtarët. Një nga tregimet e para të letërsisë së futbollit, “Juan Polti”, është botuar nga uruguaiani Horacio Quiroga dhe tregon historinë e Abdón Porte-s, mesfushorit legjendar të “Montevideo Nacional” i cili vrau veten më 5 mars 1918 në fushën e “Gran Parque Central” të kryeqytetit uruguajan. Porte e kishte humbur rëndësinë e tij dhe nuk ishte më i dobishëm as për ekipin dhe as për tifozët. Ai preferoi të vdiste. Me atë vetëvrasje lindi ideja e futbollistit si hero (tragjik, në këtë rast) të kohës sonë:

Nacional, edhe pse në pluhur i shndërruar dhe në pluhur gjithmonë i dashuruar,
Nuk do ta harroj as edhe për një moment se sa të kam dashur.

Vargjet me të cilat Abdón Porte u largua nga jeta nuk ishin letërsi e pastër, por atëherë si edhe tani, mund të përhapen në miliona tifozë.

Është logjike që një material kaq i fuqishëm dhe një pasion kaq i thellë (dhe i pashpjegueshëm racionalisht) për flamujt dhe ngjyrat që identifikojnë çdo tribu futbolli, ka prodhuar letërsi. Një nga përpjekjet e para letrare për të shpjeguar ndikimin e futbollit në shoqëri dhe në art është ndoshta ajo e uruguaianit Eduardo Galeano, i cili shkroi “Shkëlqimet dhe mjerimet e lojës së futbollit”. Ky libër shënon momentin në të cilin shumë intelektualë të majtë në Europë dhe në Amerikën Latine i dhanë fundit shikimit të futbollit si diçka të dyshimtë, si një "opium të ri për njerëzit" dhe nisën ta lavdërojnë atë.

Në atë kohë, Manuel Vázquez Montalbán i cili gjatë një periudhe të paraburgimit nën regjimin e Frankos kishte shkruar esenë me shumë ndikim “Raport mbi informacionin” (1975) dhe ishte tashmë një nga intelektualët më të shquar të opozitës klandestine, botoi artikuj që flisnin për klubin e futbollit të Barcelonës dhe duke përdorur më shumë burime letrare sesa historike, e bëri atë një simbol të rezistencës kundër diktaturës.

Në atë kohë, Vázquez Montalbán e quajti Barcelonën si “ushtria e paarmatosur e Katalonjës” (duhet pasur parasysh se ndonjëherë futbolli është quajtur si “ritual lufte”) dhe i dha një rëndësi politike që drejtuesit e ekipit ishin të lumtur ta përvetësonin duke krijuar sloganin “Més que un club”, më që do të thotë “më shumë se një klub”. Institucionet e futbollit, ashtu si kombet, priren të ndërtojnë identitetin e tyre mbi veprat e së kaluarës. Jo domosdoshmërisht të vërteta, madje përkundrazi. Por gjithsesi të dobishme.

Më lejoni të bëj një kapërcim këtu, sepse futbolli kur kërkon të shpjegojë vetveten, sqaron shumë gjëra me sinqeritetin më të lartë. I ndodhi Gianni Brera-s (1919 - 1992), komentatorit më të mirë italian të brezit të tij. Në vitin 1972 Brera vendosi të shkruante një manual të shkurtër didaktik, që i drejtohej të rinjve me ambicien për të ngritur një karrierë në botën e futbollit. E quajti “Zanati i futbollistit”. Synonte të tregonte historinë e këtij sporti në Itali dhe të sqaronte disa koncepte elementare teknike dhe taktike, por përfundoi duke treguar se futbolli italian ishte ashtu siç ishte (me karakter mbrojtës, i përvuajtur dhe oportunist) sepse nuk mund të ishte ndryshe, duke qenë se vendi ndenji për shumë shekuj nën zotërimin e fuqive të huaja, një situatë kjo që kishte rrënjosur tek italianët një lloj të caktuar karakteri dhe një mënyrë të veçantë të të vepruarit.

Le të kthehemi te poligrafi Vázquez Montalbán. Pas vitit 1977, pas fundit të diktaturës dhe në rrugën drejt demokracisë, Vázquez Montalbán dhe Javier Marías i lindur në Madrid, i cili u bë shkrimtari më prestigjioz spanjoll i kohës së tij, formuan një dyshe interesante në faqet e gazetës “El País”. Para çdo clásico, siç quhet ndeshja mes Real Madridit dhe Barcelonës, të dy shkruanin artikuj mbi futbollin me nivelin më të lartë letrar.

Shkrimtarët që e donin këtë sport nuk druheshin më për të rrëfyer pasionet e tyre. Ata shkruanin për futbollin, por sigurisht me vëmendjen te skuadra për të cilën bënin tifozllëk. Ky është rasti, pak më vonë, i eseistit dhe gazetarit italian Beppe Severgnini, autor i librave të mrekullueshëm autoironikë për Interin. Vetë Javier Marías e shpjegoi kështu këtë fakt: "Futbolli është rikuperimi i përjavshëm i fëmijërisë", domethënë i rrënjëve së të gjithë letërsisë.

Shkrimtari meksikan Juan Villoro, letrar i shkëlqyer, është një autor i gjithmonëgjendur kur bëhet fjalë për futbollin. Ka botime përmbledhëse me artikuj dhe kronika, si “Dios es redondo” i vitit 2006 (këtu përsëri hyjmë në territorin fetar) dhe “Balón dividido”, të vitit 2014, ose letrat e shkëmbyera me mikun tim Martín Caparrós (Ida y vuelta: una korrespondencia sobre fútbol, 2014).

Deri më tani kemi parë se qasja letrare ndaj futbollit priret të marrë formën e tregimeve të shkurtra, artikujve në gazeta dhe në përgjithësi, teksteve të shkurtra. Vetë Villoro e shpjegon këtë:

Futbolli nuk ka nevojë për trillime paralele dhe i lë pak hapësirë ​​imagjinatës së autorit. Kjo është një nga arsyet pse historitë e futbollit janë më të mira se romanet e futbollit. Futbolli na vjen i rrëfyer tashmë, dhe zakonisht misteret e tij të patreguara janë të shkurtra. Romancieri që nuk kënaqet vetëm me pasqyrimin e ngjarjeve, preferon të shikojë në drejtime të tjera. Në vend të kësaj, kronikani (i interesuar për të rrëfyer atë që tashmë ka ndodhur) gjen stimuj të pashtershëm.

Villoro, si gjithmonë, ka të drejtë.

*Enric González është gazetar dhe shkrimtar spanjoll. Për shumë vite ka punuar si korrespondent për gazetën “El País”, dhe “El Mundo” ku kontribuon aktualisht çdo javë. Është autor i shtatë librave. Ky artikull u përkthye me shkurtime në shqip nga Erjon Uka.