I fundit i surrealistëve
Një festival magjik, në të vërtetë psiko-magjik, pjesë e të cilit është një mjeshtër si Alejandro Jodorowsky në një vend që ka tërhequr gjithmonë pacifistët, intelektualët dhe artistët, siç është takimi në “Monte Verità”. Jodorowsky, i lindur në vitin 1929, quhet i fundit i suerrealistëve.
Cila është lidhja mes mjedisit, pemëve dhe luftës?
Bomba atomike, kataklizmat e mëdha, tokat pjellore që po ndoten: sa budallenj jemi ne njerëzit. Lufta është një pjellë e idiotësisë njerëzore. Ndërsa një pemë është klithma e kënaqësisë që nxjerr planeti duke u rrotulluar rreth diellit. Ka edhe lloje të tjera të pemëve, të tilla si pemë gjenealogjike, pemët familjare njerëzore. Më shqetëson fakti që ne varemi nga marrëzia njerëzore. Duhet gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur. Një konflikt atomik, për shembull midis SHBA-së dhe Kinës, do të zgjaste shumë pak dhe do të shkatërronte të gjithë planetin.
Çfarë ka të errët bota që po jetojmë?
Nëse bota do të shpëtojë, do të shpëtojë falë grave. Dalëngadalë gratë po zotërojnë kulturën njerëzore, pas shekujsh nën thundrën luftarake të burrave, ato po bëjnë një revolucion. A është burri ai që bën luftë, dhe gratë mbjellin pemë, pemët gjenealogjike, riprodhojnë qeniet njerëzore në barkun e tyre, a janë të afta të rrisin fëmijë pa burra, a do të mund të kenë edhe fëmijë pa burra? Ka shumë gjëra që nuk i dimë, jetojmë në injorancë, në besëtytni. Çfarë janë pafundësia, koha, hapësira? Çfarë janë e tashmja, e shkuara, e ardhmja? A ka trup dhe shpirt apo shpirt me trup?
Konferenca juaj do të ketë edhe një përmasë shpirtërore: Çfarë është Zoti?
Zoti është një mrekulli. Dhe përse të mos mendojmë se edhe Zoti është një hyjni femër dhe së biri i Zotit është në fakt një bijë?
Në këtë kontekst, kur jemi në kërkim të përgjigjeve, çfarë roli kanë filmat, librat, arti, magjia, psikomania?
Të arrijmë tek eksperiencat, duke i lënë mënjanë besimet. Luajmë me to, por nuk mund t’u japim statusin e së vërtetës. Politika, feja, ekonomia janë legjenda, janë mite, por që mund të jetohen në mënyra të ndryshme. Kam parasysh këtu fuqinë terapeutike të imagjinatës, aplikimi i së cilës është psikomagjia, për veprimet paradoksale që mund të bëjmë për të ndryshuar këndvështrim, në kërkim të heshtjes. Ne flasim, flasim por e vërteta ndonjëherë rri në heshtje. Dhe për dashurinë. Nuk ka gra dhe burra, është dëshira për të qenë fillimisht çift e më pas tribu, ekziston një trup që do prekur me ëmbëlsi, kujdes, dashuri, edhe nëse sot trupi është bërë tabu.
Çfarë ka në majë të Malit të Shenjtë, duke cituar një prej filmave tuaj më të famshëm?
Një sy i shenjtë dhe i artë që, thjesht duke parë, krijon. Është syri hyjnor, që shikon dhe krijon. Nuk e kemi ende këtë fuqi. Kuptimi i jetës është vetë jeta. Vdekja nuk ekziston, është thjesht një transformim dhe duhet të mësojmë ta përdorim atë. Jo si luftërat që shkatërrojnë, por si ndriçim.
Si të përshëndetemi?
Po iki fluturimthi.
*Alejandro Jodorowsky është regjisor kiliano-francez, më i njohur për filmat e tij të viteve 1970 “El Topo” dhe “Mali i Shenjtë”. Jodorowsky është "nderuar nga entuziastët e kinemasë së kultit" për punën e tij që është e mbushur me imazhe surreale dhe një përzierje hibride të misticizmit dhe provokimit fetar. Intervista u përkthye nga Erjon Uka.