Shënime në Blog

Jeta përmes njollash

Më magjepsin njollat, ato të gjakut, të spermës, të bëra njësh me çarçafët apo me dyshekët e konsumuar e të braktisur në trotuare, njollat ​​e verës dhe të ushqimit, që veshin drurin e tavolinave dhe bufetë, gjurmët e kafesë dhe gjurmët e gishtërinjve të yndyrshëm në fotot e vjetra të kaluara dorë më dorë në fund të darkave familjare. Njolla organike, materiale.
Jeta përmes njollash

Nga Annie Ernaux/ Në një kështjellë të Loirës, mund të shihet një njollë gjaku që mbështjell gurin e një shakalle. I përket një njeriu të vrarë gjatë natës së Shën Bartolomeut, njollë më shumë se tre shekuj e vjetër. Nuk e mbaj mend emrin e kështjellës, as nëse gjaku i përket një katoliku, apo me shumë gjasa, një protestanti. As nuk e di nëse ajo njollë ekziston vërtetë. Ka qenë zonjusha Aubé që na e tregoi këtë histori në fillore, dhe kurrë më nuk e kam harruar.

Më magjepsin njollat, ato të gjakut, të spermës, të bëra njësh me çarçafët apo me dyshekët e konsumuar e të braktisur në trotuare, njollat ​​e verës dhe të ushqimit, që veshin drurin e tavolinave dhe bufetë, gjurmët e kafesë dhe gjurmët e gishtërinjve të yndyrshëm në fotot e vjetra të kaluara dorë më dorë në fund të darkave familjare. Njolla organike, materiale. Është koha njerëzore, e kafshëve, e ngjitur dhe e ngulitur, e cila është shndërruar në materie.

Krejt në një drejtim tjetër janë edhe hijet e mobiljeve të vizatuara në mure gjatë perëndimit, njollat e diellit në gjysmë-errësirën e një dhome në verë. Shpërthimi dhe lehtësia e dritës. E përtej jetës.

Mbaj mend njollën e madhe rozë, ujë dhe gjak, mbi jastëkun e krevatit të prindërve të mi, që kishte lënë macja e ngordhur, e cila kur u ktheva nga një festë shkolle gjatë pasdites së vonë, ishte varrosur tashmë. U zbraz përpara se të ngordhte, e helmuar nga kotelet po ashtu të ngordhura brenda barkut të saj.

Gjurma e së kuqes së lehtë në brekët që i mbajta brenda dollapit për disa muaj, të fshehura poshtë rrobave, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare. Ato që kisha veshur në mëngjes pas natës së parë me C. dhe që dëshmonin për gjysmë-deflorimin tim.

Njolla e madhe e errët, që i rezistonte çdo larjeje, në një çarçaf që i përkiste gjyshes sime të ndjerë. Barna, ishte jod, thoshte nëna ime. Por unë atë çarçaf nuk e doja në shtratin tim.

Një njollë akulloreje me çokollatë në një faqe të gramatikës latine të abatit Ragon që e përdora deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Ishte derdhur prej një kaushi që më kishte sjellë mamaja "nga qyteti" një ditë të nxehtë pazari në verën e ditëlindjes sime të trembëdhjetë. Rrugës së kthimit ajo kishte shpejtuar hapin dhe mbërriti e gjitha e djersitur, por akullorja tashmë kishte filluar të shkrihej. E hëngra menjëherë, në dhomën time, ndërsa shqyrtoja lidhëzat e foljeve latine për fillimin e vitit shkollor. Ne nuk kishim frigorifer. Njolla është ende aty, rezistente në mënyrë të pashlyeshme nga një shirit ngjitësi që më vonë shërbeu për të riparuar një grisje në po atë faqe. Ishte dashuria e humbur e mamasë sime.

Korniza në dhomën e prindërve të mi me portretizimin e turbullt bardh e zi të një fytyre mashkullore të dobësuar, të drobitur, me sy të mbyllur. Kur isha fëmijë, ajo kornizë më trembte. Në orën e teologjisë mësova historinë e Shën Veronikës, e cila kishte vendosur vellon, atë me të cilën mbulonte flokët, në fytyrën e gjakosur të Krishtit që vdiq në kryq, duke shënjuar mbi të përjetësinë. Me pak fjalë, ishte një lloj fotoje. Më mërziti, sepse Krishti dukej si një njeri i zakonshëm.

Kartolina që më dhuroi një mikeshë nga Le Havre, një fotografi e Mbretëreshës Elizabeta II e Britanisë në ditën e kurorëzimit. Në anën e pasme ishte një njollë e vogël kafe, natyra e papërcaktuar e së cilës më pështjellonte, ndryshe nga ç’do të kishte ndodhur me një njollë të identifikueshme, si bojë apo buzëkuq. Nuk kam mundur kurrë ta shikoj atë foto të mbretëreshës pa e lidhur menjëherë me njollën në anën e prapme. Sot, ajo kartolinë që nuk e kam më, nuk do të më shkaktonte neveri. Do të kishte thjesht vlerën sentimentale të diçkaje të viteve pesëdhjetë.

Një roman policesk i kolanës Le Masque të titullar “Njolla gjaku”, që xhaxhai im Rajmondi e lexonte dhe rilexonte. Isha dymbëdhjetë vjeç, mendoja në mënyrë të pashmangshme për ato njolla të menstruacioneve. Kisha dëshirën e fortë që të më vinin edhe mua. Disa gra thoshin se "kanë kaluar dy vjet që nuk i kam parë", ose pyesnin "kur është hera e fundit që i ke parë?". Burrave do t’u duhej të shihnin pak gjak, që të mos dëshironin ta derdhnin më atë.

Në Kosovë, si në shumë vende të tjera, pas natës së martesës, bashkëshortët e rinj ciganë tregojnë çarçafët e tyre të njollosur me gjak. Jo vetëm kaq, duhet të kujdesen që me gjak dhe spermë të vizatojnë lule, figura të tjera, të cilat të ftuarit thirren për t'i deshifruar. E ardhmja lexohet në çarçafë. Më pas e lajnë me verë, e cila thuhet se heq njollat ​​e gjakut. Ndoshta shërben vetëm për t'i fshehur ato. Njolla si realitet i botës.

Do të doja që fjalët e mia të ishin si njollat, të heshtura dhe të rënda, prej të cilave nuk mund të shpëtosh.

*Annie Ernaux është ndër shkrimtaret më të rëndësishme franceze të letërsisë bashkëkohore. Është nderuar me shumë çmime letrare, ndër të cilat “Marguerite Duras”, “Prix de la langue française” dhe “Premio Strega Europeo”. Në vitin 2022 fitoi edhe çmimin Nobel për letërsinë. Në shqip janë botuar romanet e saj “Kujtime vajze”, “Pasion i thjeshtë”, “Vitet” dhe “Vendi i babait”. Pjesa e mësipërme i përket një reportazhi për France Inter, përkthyer nga Erjon Uka.