Shënime në Blog

Ju tregoj zemërimin francez

Historia e orës është emblematike. E dimë se sa kushton? Dikush tha 80 mijë euro. Pallati Elize u përgjigj se kushton dy mijë. E njëjta gjë si me reformën e pensioneve: a është vërtetë e pashmangshme? Faktikisht sot nuk dimë as sa kushtoi ora, as nëse reforma është vërtetë e nevojshme. I vetmi fakt është ai që në kokën e francezëve Macron shfaqet i aftë të mbajë një orë 80 mijë euro, dhe ta heqë atë në situata të caktuara.
Ju tregoj zemërimin francez

Shkrimtari i madh francez Emmanuel Carrère, nuk lodhet për më shumë se një orë duke folur për Francën që ka shpërthyer në protesta kundër reformës së pensioneve, të një lideri që shihet si kokë turku nga turmat gjithnjë e më të zemëruara dhe e një rinie që proteston sepse nuk beson më tek e ardhmja.

Le t’ia nisim nga pamjet e revoltave në Paris. Çfarë na tregon zemërimi francez?
Po ndodh përballja mes dy logjikave që normalisht bashkëjetojnë, por që në këtë moment po përplasen në mënyrë frontale. Nuk jam ekonomist dhe ndaj nuk kam mjaftueshëm njohuri për të ditur nëse ajo që thotë Macron, pra që reforma e pensioneve është jo vetëm e nevojshme, por edhe e pashmangshme, sepse e kërkon situata financiare e Francës. Macron thotë: nuk më pëlqen ta bëj, por jam i detyruar ta bëj. Dhe ai ndjen se ka një lloj kuraje brenda vetes. Mendon se historia do t’i japë të drejtë. Problemi është se populli përgjigjet: ai nuk na sheh, nuk kupton në ç’gjendje jemi, nuk e di se për ne jeta do të bëhet e pamundur. Për më tepër, shumë janë të bindur se kjo reformë nuk është edhe aq e nevojshme dhe urgjente dhe mbi të gjitha, se ka mënyra të tjera për t’i gjetur paratë, si për shembull taksimi i të pasurve. Dhe këtu është pika e vogël, pasi Macron që në krye të herës është akuzuar se privilegjon shtresat e larta, të pasurit. Sipas meje, ai ngjan me Valery Giscard d’Estaing të cilin e mbaj mend nga rinia ime kur drejtonte në Pallatin Elize. Të dy janë njerëz shumë inteligjentë, me një vetëdije të madhe për rolin dhe vendin e tyre në histori. Dhe të dy bezdisen që të tjerët janë më pak inteligjentë se ata. Gjë që, natyrisht, e ofendon popullin francez.

Çfarë fshihet pas kësaj ndjenje revolucionare që ka gjithmonë populli francez, nevoja për të gjetur një kokë turku, që në këtë rast është Macron, aq sa ditë më parë të shumtë ishin ata që theksuan këtë gjoja gafë të orës 80 mijë euro që e hoqi gjatë intervistës në televizion?
Faktikisht Franca e ka humbur prestigjin e saj thuajse në çdo fushë, por nëse ka një gjë për të cilën vazhdon të jetë krenare, është modeli i saj social. Duhet theksuar gjithashtu se kjo reformë po vjen në një moment në të cilin njerëzit janë varfëruar, e kanë humbur fuqinë blerëse. A e ka gjetur kjo ethe revolucionare, kjo aftësi e francezëve për të ngritur krye, kokën e vet të turkut? Mundet, sepse Macron është perfekt si kokë turku. Ai, si të thuash, ka këtë arrogancën e sinqertë, të cilën ndoshta as që e vë re. Historia e orës është emblematike. E dimë se sa kushton? Dikush tha 80 mijë euro. Pallati Elize u përgjigj se kushton dy mijë. E njëjta gjë si me reformën e pensioneve: a është vërtetë e pashmangshme? Faktikisht sot nuk dimë as sa kushtoi ora, as nëse reforma është vërtetë e nevojshme. I vetmi fakt është ai që në kokën e francezëve Macron shfaqet i aftë të mbajë një orë 80 mijë euro, dhe ta heqë atë në situata të caktuara.

A mund t’ia lejojë vetes Franca të bjerë në një situatë revoltash në këtë moment historik, me një luftë në Europë, dhe me Macron që është një lider i cili mund të ndërmjetësojë një zgjidhje diplomatike?
Kjo zemëratë e francezëve mund të gjykohet si qesharake krahasuar me rëndësinë dhe kërcënimin shkatërrues të luftës, por gjithsesi, shqetësimet e vogla të jetës së përditshme s’mund të shmangen. Dihet që sa më shumë të zgjasë lufta, aq më e lartë do të jetë tendenca që opinioni publik në gjithë vendet europiane të thotë: mirë, ta mbështesim Ukrainën, por le të kthehemi te hallet tona të brendshme. Dhe mbi këtë e vë bastin edhe Putini, sepse nëse opinionet publike i shtyjnë qeveritë të merren më pak me Ukrainën dhe ta ulin intensitetin e ndihmave në Kiev, Rusia do të avantazhohet. Dhe më shumë gjasa ka të ndodhë nëse vitin tjetër, në Shtëpinë e Bardhë do të kthehet një president republikan. Putin s’pret gjë tjetër veçse rikthimin e Trump.

A i keni parë manifestimet e fundit në Paris? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?
Gjatë protestave të para nuk kam marrë pjesë, por shkova t’i shoh. Në protestat e fundit, kur gjërat filluan të bëhen të dhunshme, nuk kam qenë në Paris. Gjendesha në male, sepse “L’Obs” më kërkoi të shkruaja një reportazh mbi shkrirjen e akujve. Ja pra, problemi i prioriteteve. Cilat janë ato? Kërcënimi për planetin, ngrohja klimatike, pasojat e luftës në Ukrainë, rreziqet për demokracitë tona përballë regjimeve totalitare? Ama mund të konsiderohet reforma e pensioneve më e rëndësishmja. Ka prioritete të mëdha, por secili prej nesh ka të tijat, përfshirë problemin e pagesës së faturave apo pensionit. Në Francë është zakon të thuhet se ka nga ata që zotërojnë mjetet e duhura për t'u shqetësuar për fundin e botës, dhe nga ata që mundësinë e vetme për t’u shqetësuar e kanë për të përballuar jetesën. Është një shprehje e thjeshtë, që më duket shumë korrekte.

Protestojnë edhe të rinjtë francezë. Pse do të protestonte një djalë kundër reformës së pensioneve? A do edhe rinia të mbrojë stilin e jetës së shënjestruar nga terroristët e 13 nëntorit 2015?
E kuptoj që protesta e të rinjve mund t'ju duket paksa e çuditshme. Por është një zemërim që shkon përtej reformës së pensioneve. Ata janë fëmijë që ngrenë krye kundër një të ardhmeje të dhjerë, dhe jo vetëm në planin social. Sa i takon sulmeve, ata që ndodhen sot në rrugë nuk janë saktësisht të të njëjtit lloj të goditur më 13 nëntor 2015 në tarracat e kafeneve pariziane. Në atë kohë ishte më së shumti rinia urbane. Franca që proteston sot, është ajo e zonave më të thella, e periferive, ajo Francë që tashmë ishte ngritur me jelekverdhët. Pas sulmeve të 13 nëntorit, u gjetën kompjuterët e terroristëve dhe brenda kishte dosje me listën e objektivave të ardhshëm që terroristët donin të godisnin. Përmendeshin gjithashtu lëvizjet tradicionaliste katolike dhe vendet e takimit të lëvizjes punk. Mund të thuhet se terroristët ishin "inteligjentë" në mënyrën e tyre, sepse po të kishin goditur të rinjtë ultra-katolikë ose të apasionuarit pas muzikës punk, nuk do të kishte të njëjtin emocion kolektiv si për kategorinë e madhe të të rinjve që pretendonin të drejtat për çlirim.

Duke njohur dashamirësinë tuaj për Philip Dick, si i shihni zhvillimet e inteligjencës artificiale dhe si do ta ndryshojë ajo raportin mes njeriut dhe makinerisë?
Më vjen të qesh me këtë pyetje, sepse pikërisht mbrëmë, duke përgatitur reportazhin tim mbi shkrirjen e akujve, pyeta ChatGPT: shkruaj 5000 fjalë mbi shkrirjen e akujve. Madje pata edhe arrogancën të shtoja: “Në stilin e Emmanuel Carrère”. Më duhet të them se rezultati nuk ishte aspak i keq, edhe pse qartësisht kishte pasaktësi në tekst. Tani për tani, identiteti im letrar është i sigurt, por jemi vetëm në fillim. Pas disa vitesh, nuk jam i sigurt nëse mund të them të njëjtën gjë. Përsëri, çështja lidhet me nivelin e rëndësisë së gjërave. Kjo historia e inteligjencës artificiale është një temë e madhe. Do të na e ndryshojë trurin, për këtë kam pak dyshime. Ndër revolucionet e mëdha të njerëzimit, më i fundit është ai i Internetit. Unë mendoj se aplikimet e inteligjencës artificiale do të jenë edhe më shkatërruese dhe, në shumë mënyra, të rrezikshme. Do të jetë një ndryshim rrënjësor i qytetërimit, deri në atë pikë sa duhet dyshuar nëse do të mbetet më qytetërim.

*Emmanuel Carrère është shkrimtar, skenarist dhe regjisor francez. Autor i 18 librave, 7 filmave dhe fitues i shumë çmimeve letrare, ndër të cilat “Prix Femina”, “Hemingway” dhe “Princi i Asturias”. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.