
Filozofi italian Massimo Cacciari i përgjigjet pyetjeve për komunikimin politik në kontekstin e rrjeteve sociale: “Ka fituar gjuha që shpërfill arsyetimin. Por duhet të rezistojmë".
A e pranoni se niveli ndonjëherë është tejet i dobët?
Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të reflektojmë snobizëm. Gjuha politike, në thelb, është demagogjike, sepse qëllimi i saj është ta udhëheqë popullin duke e bindur me çdo mjet për të pranuar ide dhe këndvështrime të caktuara. Pretendimi se kjo lloj gjuhe mund t'i afrohet gjuhës "shkencore", është çmenduri. Shkencëtari përpiqet të lidhet me qenien, gjuha politike lidhet me nevojën e të qenurit.
Por ama, edhe demagogjia do të ketë limitet e saj?
Kur nevoja e të qenurit tejkalon çdo analizë konkrete të situatave reale, gjuha kthehet qartësisht në gënjeshtër. Nëse përpiqet të bindë demos-in me premtime të pabaza që nuk marrin parasysh një realitet faktik, gjuha politike shfaqet në forma të degraduara, madje bëhet propagandë e pastër.
Dhe a ju duket se politikanët kujdesen për realitetin faktik sot?
Gjuha e zakonshme tashmë është dërdëllitje, por pse duhet të habitemi? Degradimi nuk është vetëm politik, por është i përhapur. Ka fituar gjuha e rrjeteve sociale, e cila nuk merr parasysh asnjë analizë, kritikë, apo gjykim. Po ndodh një varfërim i jashtëzakonshëm i mjeteve tona të komunikimit. Në këtë pikë, politikanët përdorin komunikimin e nxituar përmes mjeteve që kanë në dispozicion, fundja ata nuk jetojnë në Mars!
A ka ndonjë rrugëdalje?
E vetmja gjë që mund të bëjmë është të përpiqemi të rezistojmë, të jemi të vetëdijshëm për kontekstin. Siç thashë, do të ishte një pozicion snob, për të mos thënë asketik, të refuzosh rrjetet sociale ose të ndalosh së foluri përmes gazetave apo televizionit. Askush nga ne nuk mundet të jetë superior ndaj botës së tij.
Rrjetet sociale kanë rritur shkallën e emocioneve. A po rritet nevoja për një armik?
Në politikë, gjuha e armikut nuk është aspak e re. Politika gjithmonë është shtirur si luftarake duke përdorur gjuhë pseudoushtarake, por sot është zhdukur aftësia për të kritikuar. Askush nuk e çon më nëpër mend të njohë armikun e tij, të kuptojë gjuhën e tij. Gjykimi kërkon kohë, kërkon distancë kritike. Sot çdo gjë konsumohet menjëherë. Kritika është një qëndrim i zhdukur nga gazetat, madje edhe nga shkolla.
Çfarë nuk ju pëlqen nga shkolla?
Është e pushtuar nga ankthi i performancës, e shqetësuar në përgatitjen e të rinjve në punë, e kapluar nga një dëshirë produktiviste. Ajo që ka rëndësi sot është arritja e suksesit të menjëhershëm, bindja e shpejtë e bashkëbiseduesit, pavarësisht nëse për këtë kërkojmë ndihmën e lajmeve të rreme. Nuk ka rëndësi mendimi, arsyetimi, analizimi i shkaqeve, ajo që vlen është të marrësh anë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të zotëruar nga nxitimi. Politikanët janë gjithashtu mallra me vulë skadence.
Të rezistosh, do të thotë të ngadalësosh?
Të merret koha e nevojshme, të kthehemi te mendimi, të kuptojmë arsyet e tjetrit, gjuhën e atij që nuk mendon si ne. Nëse e bën këtë, me siguri që do të jesh vetmitar, ndoshta kurrë nuk do të bëhesh lider politik, por në fund të fundit, çfarë problemi ka?
A është ky qëndrimi i intelektualit?
Mendoj se ky duhet të jetë. Është pozicioni i atij që nuk e ndjen për detyrë të përshtatet me kohën e tij, i atij që nuk merret vetëm me pasqyrimin e realitetit, i atij që nuk dëshiron të jetë bashkëkohor me çdo kusht.
Kultivimi i shpresës për t'u bërë i përjetshëm?
Nëse një intelektual nuk ka shpresë të bëhet i përjetshëm, për çfarë ekziston pra?!
A mund t'i rezistojmë edhe ne mbrojtjes së vlerave kushtetuese si antifashizmi?
Antifashizmi nënkupton një fashizëm që nuk mendoj se është në horizont. A mendoni se mund të jetë i frikshëm një ministër që citon fraza nga Musolini? Nëse ka një rrezik, është ai i kolapsit të një demokracie përfaqësuese që kush e di çfarë do të sjellë, por sigurisht jo format autoritare sipas stilit të shekullit të njëzetë.
Dhe nuk ju duket skenar i frikshëm?
Kam frikë nga homogjenizimi masiv pa perspektivë kritike, të cilit i përshtatemi pa pasur nevojë për censurë.
A ushqehet populizmi nga ky habitat?
Populizmi është një tjetër fjalë e tejpërdorur me të cilën abuzohet. Elementet populiste dhe demagogjike janë të pandashme nga çdo shprehje politike. Është një tendencë e gjithë politikës bashkëkohore që të flasë me slogane, duke përdorur gjuhën në të cilën mbizotëron elementi i premtimit.
A po e teprojnë me retorikë politikanët e sotëm?
Vëzhgimi im është tjetër. Në Republikën e Parë, elementi demagogjik u kombinua me një element të fortë ideologjik. Elementi ideologjik krijon bashkësi, një etikë të përbashkët, dhe ka një bazë të qëndrueshme. Meqenëse ideologjitë janë çmontuar plotësisht, duke nisur nga vitet ‘80-’90, mbeti vetëm superstruktura demagogjiko-populiste.
Me vdekjen e ideologjive, do të thotë që kanë rëndësi programet?
Por çfarë programesh? Programet hyjnë në punë për të rregulluar radiatorët, ato i bëjnë teknikët. Nuk ka asnjë politikë që mund të përcaktohet në një çelës thjesht programor. Sot dominojnë muhabetet pa ideologji.
Pra pra vlera?
Vlerat ose kanë një bazë të fortë ideologjike, ose janë thjesht llogje.
Ekzistojnë zgjidhje?
Politikanët do të duhet të na thonë se si mund të realizohet sot një program i besueshëm politik. Si mund të realizohet një shkollë e barabartë për të gjithë, apo shëndetësi me akses për të gjithë. Të ashtuquajturat vlera, nëse nuk normohen, mbeten thjesht llogje. Por sot kufijtë për përcaktimin e zbatueshmërisë së programeve janë ndoshta inekzistente. Kjo pafuqi është dramë.
Pra?
Jemi të detyruar të jetojmë në hapësirën e llogjeve.
*Massimo Cacciari është filozof, eseist dhe politikan italian, kryebashkiak i Venecias në dy mandate. Është autor i më shumë se 50 librave, dhe i nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” në shumë universitete europiane. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.