Shënime në Blog

Muhabete virale

Të thuash që një virus “dëshiron” diçka, do të thotë t’i atribuosh cilësi njerëzore, sepse viruset nuk kanë qëllime. Në realitet, është thjesht probabiliteti i lartë dhe jo qëllimi i keq, që shpjegon sjelljen e tyre. “Muhabete virale” është një term që përdoret në kuptim të parë, kur ndërveprimi mes kafshëve dhe tejkalimi i kufirit mes njerëzve dhe botës shtazore në kushtet e një dendësie shumë të lartë jetese, shkakton epidemitë.

Muhabete virale

Nga David Quammen/ Në fillim të shtatorit, shkencëtarët e universitetit të Floridas në Shtetet e Bashkuara konfiruarn se një delfin hundëshishe, i gjetur pa jetë në një kanal përgjatë bregut të Gjirit në muajin mars, ishte bartës i një lloji shumë patogjen të gripit të shpendëve. Truri i tij ishte enjtur. Zakonisht, ky virus prek shpendët, por hera-herës shkon edhe përtej. Disa muaj pas vdekjes së delfinit, një tjetër gjitar, marsuini ose siç quhet ndryshe derri i detit, u gjet i shtrirë dhe i dobësuar në bregun perëndimor të Suedisë. Më pas, vdiq nga i njëjti virus. Midis këtyre dy ngjarjeve pati një tjetër rast shqetësues në Kolorado: një burrë rezultoi pozitiv me gripin e shpendëve. Ai mbahej në një burg shtetëror dhe si kusht lirimi, i ishte dhënë detyra të therte pulat në një fermë që rezultoi e prekur nga ky infeksion.

Nuk është i vetmi njeri që gjatë vitit të kaluar rezultoi pozitiv ndaj gripit të shpendëve, në veçanti atij H5N1. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, një burrë 79 vjeçar që jetonte në kontakt të ngushtë me rosat, u infektua në dhjetor të 2021.

Nësë këto ngjarje – pra vdekja e një delfini dhe një derri deti dhe dy burra pozitivë ndaj një virusi të rrezikshëm shpendësh – ju duken të palidhura dhe të papërfillshme, ndoshta nuk keni dëgjuar për atë që quhet “viral chatter”, pra muhabete virale në kuptimin e parë të fjalës. Termi u krijua disa dekada më parë nga Donald Burke, një studiues i sëmundjeve infektive në Universitetin e Pittsburgh, dhe i referohet periudhës kur një virus përhapet nga kafshët e egra te njerëzit duke shkaktuar herë pas here zinxhirë të vegjël transmetimi. Është një shenjë paralajmëruese, por që shpesh merret në konsideratë shumë vonë.

“Ideja e muhabetit viral pasqyron një lëvizje para-mbrapa përtej kufirit mes specieve”, më shpjegoi njëmbëdhjetë vjet më parë Burke. Viruset e shpendëve përhapen te gjitarët dhe viruset e lakuriqëve të natës te njerëzit. Zakonisht këto infeksione të njëhershme përballen me një rrugë qorre, gjë që është mirë. Por procesi rastësor nënkupton se ekziston një model që përsëritet, dhe kjo është negative, ose të paktën shqetësuese. Ky model u sinjalizon vëzhguesve si Burke se një virus "dëshiron" të kapërcejë hendekun midis kafshëve mbartëse dhe njerëzve, për t’u përhapur më pas.

Të thuash që një virus “dëshiron” diçka, do të thotë t’i atribuosh cilësi njerëzore, sepse viruset nuk kanë qëllime. Në realitet, është thesht probabiliteti i madh dhe jo qëllimi i keq, që shpjegon sjelljen e tyre. Por antropomorfizmi mund të jetë i dobishëm: “muhabeti” i gripit H5N1 tregon se virusi po eksploron mundësitë e tij midis gjitarëve. Dhe duhet të kemi parasysh se këto mundësi na përfshijnë edhe ne.

Janë dy pyetje në lidhje me “viral chatter” që shqetësojnë ekspertët e sëmundjeve infektive: A po dëgjojmë mjaftueshëm për të kuptuar atë që thuhet? Dhe a jemi gati të ndërhyjmë?

Jo të gjithë njerëzit e infektuar bëhen pacientë zero të një epidemie në shkallë të gjerë, e aq më pak të një pandemie. Por sa më shumë ngjarje të këtij tipi – pra sa më shumë muhabete të bëhen – më i lartë është probabiliteti që një infeksion të na çojë në katastrofë.

Jetojmë në shoqëri shumë të dendura dhe të ndërlidhura, kështu që ne paraqesim një mundësi të jashtëzakonshme për çdo lloj virusi që të infektojë gjitarët. H5N1 është vetëm një ndër shumë nënllojet e gripit të shpendëve që janë transmetuar tek njerëzit në dekadat e fundit dhe viruset e gripit janë vetëm disa prej tyre që mund tejkalojnë kufijtë mes specieve. Qartësisht janë edhe koronaviruset.

Në korrik të vitit 2003, pas fundit të epidemisë që erdhi nga sarsi, dukej se virusi nuk qarkullonte më mes njerëzve, edhe pse ekzistonte në natyrë. Por kur mes dhjetorit 2003 dhe janarit 2004 u shfaqën katër raste të reja, u zbulua se virusi ishte përhapur përsëri, nëpërmjet një restoranti që shërbente pjata me nënprodukte civeti. Dy rikthime të dokumentuara të SARS në një vit. Sa prej tyre kishin kaluar pa u vënë re?

Për të dhënë një shembull tjetër, virusi nipah u zbulua për herë të parë mes njerëzve në Malajzi, në vitin 1998, kur kaloi nga lakuriqët e natës te derrat dhe nga këta të fundit te blegtorët dhe tek tregtarët e mishit. Lakuriqët e natës, të cilët janë bartës, janë të shpërndarë gjerësisht në të gjithë Azinë Jugore. Që atëherë, nipah ka shkaktuar dhjetëra vatra infektive në Bangladesh dhe Indinë lindore. Ka një shkallë vdekshmërie prej 75 për qind. Fatmirësisht, megjithatë, nuk kalon lehtë nga personi në person edhe pse kjo gjë mund të ndodhë herën tjetër. Arrini ta dëgjoni “muhabetin viral”?

Muhabete virale

"Unë nuk pretendoj se jam profet," më tha Burke. "Parashikimi" është një fjalë shumë e fuqishme për atë që bën. “Por mund të thuhet se në këtë zonë ka shumë “muhabet”, se është një zonë e rrezikshme dhe se këto viruse janë shqetësuese”. Një parashikim i informuar për zonat e rrezikut na lejon të përgatitemi për pandeminë duke ndjekur dy rrugë: mbikëqyrjen e infeksioneve të fshehta dhe vatrat fillestare për t'i zbuluar ato herët; dhe një reagim të fortë dhe të shpejtë për të frenuar vatrat e infeksionit përpara se ato të përhapen.

Nevoja për një mbikëqyrje të fortë të virusit nuk është e re. Pak pas themelimit të saj në vitin 1948, Organizata Botërore e Shëndetësisë ngriti një sistem global monitorimi dhe përgjigjeje ndaj gripit, një rrjet laboratorësh dhe qendrash koordinimi të projektuara për të identifikuar dhe gjurmuar gripet, për të regjistruar tendencat e tyre dhe për të kontrolluar përgjigjet e enteve të shëndetit publik në të gjithë botën.

Kjo përpjekje siguron sot organizma kompetentë në 124 shtete që bëjnë pjesë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe shpërndarjen e të dhënave gjenomike dhe epidemiologjike në nivel global. Në vitin 2000, OBSH krijoi “Global Outbreak Alert and Response Network”, një rrjet i destinuar për të mbështetur vendet në të cilat shpërthejnë epidemitë lokale për të ndaluar që të përhapen në gjithë botën. Në vitet në vijim, ka pasur iniciativa të tjera. Por kohët e fundit kam folur me pesë ekspertë ndërkombëtarë të gripit të shpendëve. I pyeta për mbikëqyrjen që po i bëhet dhe të gjithë u përgjigjën, në mënyra të ndryshme, se "nuk është mënyra e përshtatshme".

Një nga mënyrat më të mira për të mbikëqyrur këtë rrezik është analizimi i gjakut dhe mostrave të tjera të marra nga njerëz në dukje të shëndetshëm që janë në situata me risk të lartë, si fermerët e shpendëve ose derrave, ose shitësit në tregjet e gjësë së gjallë, ku zogjtë dhe gjitarët në kafaz prodhojnë jashtëqitje dhe jetojnë në hapësira të kufizuara. Më pas merren mostrat e kafshëve të egra me të cilat njerëzit vijnë në kontakt: gjahu i gjahtarëve, brejtësit që pushtojnë ndërtesat, rosat e egra dhe patat që me shpendët shtëpiak bashkëndajnë hapësira për të pirë dhe për të ngrënë.

Disa nga këto gjëra tashmë po zbatohen në komunitete të veçanta dhe në sektorin tregtar, por sipas ekspertëve nuk mjafton. Papërshtatshmëria e mbikëqyrjes mund të shpjegohet me gabimet organizative dhe me mungesën e fondeve, po aq sa edhe me ekonominë e industrisë së shpendëve, tregun e zi të kafshëve të egra dhe mungesën e angazhimit të disa qeverive. Vendeve me të ardhura të ulëta u mungojnë teknikët dhe veterinerët e aftë dhe ka njëfarë rezistence ndaj shkëmbimit të të dhënave dhe ekzaminimit të njerëzve të shëndetshëm, por me risk të lartë. Dhe në fund, ekziston po ashtu dyshimi i ndërsjellë midis kombeve më të fuqishme dhe më të pasura në burime.

Janë mangësi të rrezikshme. Ne jetojmë në një botë virusesh që fshihen brenda krijesave qelizore të të gjitha llojeve: kafshëve, bimëve, kërpudhave, protozoarëve, baktereve dhe mikrobeve të tjera. Qindra mijëra nga këto specie virale që jetojnë te gjitarët dhe zogjtë mund të infektojnë një qenie njerëzore, e cila mund ta kalojë infeksionin tek një njeri tjetër dhe më pas tek një person tjetër, e kështu me radhë. Nëse nuk e ndjejmë “muhabetin viral”, është sepse nuk po dëgjojmë siç duhet.

*David Quammen është gazetar shkencor dhe shkrimtar amerikan, autor i 15 librave. Artikujt e tij janë botuar në “National Geographic”, “New York Times”, “New Yorker” etj., ndërsa në vitin 2013 shkroi librin e suksesshëm “Spillover” ku me të dhëna shkencore parashikonte brenda dekadës shpërthimin e një epidemie globale. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Lexo edhe: Darvini do të ishte krenar për koronavirusin