Shënime në Blog

Përqëndrimi është bërë shumë i shtrenjtë

Janë të paktën dymbëdhjetë faktorë, të cilët janë rritur në mënyrë eksponenciale në 10-15 vitet e fundit, duke shkaktuar varësinë e pjesës më të madhe të njerëzimit pas teknologjive të reja të internetit dhe rrjeteve sociale.
Përqëndrimi është bërë shumë i shtrenjtë

Isha gati ta shkruaja këtë intervistë, por një email më shpërqendroi. U përpoqa të rifilloja, por erdhi një mesazh në Whatsapp. Rinisa, por smartfone-i më ndërpreu me një lajm të fundit nga BBC. Rrjedha e vazhdueshme e komunikimeve në internet dhe rrjete sociale nuk na largon vetëm ne gazetarëve nga ajo që po bëjmë. Sipas hulumtimit më të fundit, studentët mund të përqëndrohen te një detyrë vetëm për njëzet sekonda pa ndërprerje, ndërsa punonjësit që merren me strategji, për jo më shumë se tre minuta, përpara se një e-mail, një mesazh, një bisedë, një postim, t'i dërgojë në tjetër drejtim.

"Një botë plot me qytetarë me mungesë vëmendjeje do të jetë një botë krizash në të cilën nuk mund të menaxhojmë dot asnjërën prej tyre", paralajmëron Johann Hari në librin e tij “Vëmendja e vjedhur: Pse na kushton aq shumë të përqendrohemi”.

Opinionisti i “Guardian” dhe “New York Times”, autor i librave shumë të shitur dhe serialeve televizive, kreu një sondazh për të kuptuar fenomenin dhe për të ofruar zgjidhje: disa të thjeshta, si shkëputja e celularit dhe aksesit në internet herë pas here, ndërsa të tjera disi më të komplikuara, nëse jo utopike. Megjithatë, nuk ka dyshim se libri i tij prek probleme urgjente, duke filluar nga “deficiti i vëmendjes” gjithnjë e më i përhapur, veçanërisht te të rinjtë.

Kur filluat të merreshit me uljen e vëmendjes?
Disa vite më parë, gjatë një vizite që bëra në shtëpinë-muze të Elvis Presley, së bashku me nipin tim. Çdo vizitor, kur hynte, merrte një iPad që ilustronte atë ç’ka shihnim. Por njerëzit përfundonin duke parë iPad-in, në vend të shtëpisë së Elvis.

Virtualja që tërheq më shumë se realiteti...
Natyrisht që s’ishte hera e parë që e vija re. Por atë ditë u iluminova dhe atëherë nisa një kërkim që më bëri të shkruaj këtë libër, duke intervistuar më shumë se 200 ekspertë, nga Shtetet e Bashkuara, në Europë e në Lindje të Largët.

Dhe çfarë zbuluat?
Janë të paktën dymbëdhjetë faktorë, të cilët janë rritur në mënyrë eksponenciale në 10-15 vitet e fundit, duke shkaktuar varësinë e pjesës më të madhe të njerëzimit pas teknologjive të reja të internetit dhe rrjeteve sociale.

Për shembull?
Sipas studimeve të konsoliduara, një njeri mund të mendojë në mënyrë të ndërgjegjshme vetëm një ose dy gjëra njëkohësisht. Iluzioni i krijuar nga revolucioni dixhital është se mund të qëndrojmë të lidhur me një gjysmë duzine mediash njëkohësisht. E vërteta është se thjesht kalojmë me shpejtësi nga njëra tek tjetra, pa vëmendjen e mjaftueshme, pra në mënyrë jo kompetente.

Nuk kanë arritur videolojërat që ta rrisin aftësinë njerëzore të të bërit shumë gjëra njëkohësisht?
Gjiganti teknologjik “Hewlett-Packard” ka bërë një eksperiment. Disa dhjetëra vullnetarë i ndau në dy grupe. I pari, kishte mundësinë të punonte pa ndërprerje dixhitale, ndërsa grupi tjetër me prezencën e zakonshme të internetit dhe rrjeteve sociale. Rezultoi se grupi që nuk ndërpritej, kishte një nivel IQ dhjetë pikë më të lartë se grupi që ishte subjekt i ndërprerjeve të vazhdushme. Sjell në vëmendjen tuaj se në eksperimente të ngjashme, ku vullnetarët tymosin kanabis, IQ ulet me 5 pikë. Kjo për të thënë se se shpërqendrimet dixhitale kanë një efekt të dyfishtë negativ krahasuar me ata që tymosin hashah.

A është i gjithë faji i Google, Facebook, Instagram e TikTok?
Kanë të bëjnë edhe transformimet e tjera që kemi pësuar në jetë. Ushqyerja: ushqimet e shpejta, ushqimet me shumë yndyrna dhe sheqerna, japin një ndjesi energjie, por që pasohen me një rëndim të mëvonshëm që ngadalëson aftësitë njohëse, përqëndrimin. Një ndryshim tjetër është se ne flemë gjithnjë e më pak, shumë pak, ndërkohë që do të ishte e nevojshme të paktën 8 orë gjumë në natë.

Me pak fjalë, një dietë më e shëndetshme dhe më shumë gjumë ndihmojnë në zgjidhjen e deficitit të vëmendjes, si dhe janë të mira për shëndetin tonë. Por si ta rregullojmë problemin nga rrënjët?
Libri im sugjeron dy strategji. E para është një mbrojtje individuale: të shkëputemi nga aksesi në internet për tre orë në ditë, të fikim celularin gjatë darkës. E dyta, është një mbrojtje kolektive, një sulm i organizuar ndaj sistemit që po merr në zotërim aftësitë tona njohëse, duke i dëmtuar ato gjithnjë e më shumë.

A do të duhej një revolucion botëror për të përmbysur këtë sistem?
Të gjitha revolucionet duken të pamundura në fillim. Por ajo që unë propozoj nuk është një utopi. Në fakt, tashmë ka filluar. Në Francë, nën presionin e sindikatave, qeveria ka vendosur që punëtorët nuk duhet t'u përgjigjen emaileve jashtë orarit normal të punës. Në Australi, pas një fushate presioni publik, qeveria ka vendosur kontrolle më të mëdha mbi Facebook. Mund të arrihet.

Kundërtezë: Çdo zbulim teknologjik ka shkaktuar frika të ngjashme. Si u përgjigjeni atyre që do të thoshin se dëshironi të ndaloni përparimin, të ktheheni në një botë bukolike, ku ka më shumë kohë për t'u përqëndruar?
Sigurisht që nuk do të doja të kthehesha në fshatin në Alpeve Zvicerane ku gjyshërit e mi jetonin nga prodhimet e fermës së tyre. Edhe mua më pëlqejnë rrjetet sociale. Ato kanë dobi sociale. Por nuk mund të injorojmë se jemi bërë robër të tyre. Nuk mund të mposhtim të vetëm një ushtri inxhinierësh, algoritmesh dhe makinerish të inteligjencës artificiale. Duhet të bashkohemi për të ndaluar atë që disa e quajnë kapitalizëm survejues. Nuk është rastësi që deficiti i vëmendjes përkon me krizën më të rëndë për demokracinë që nga vitet 1930.

*Johann Hari është shkrimtar dhe gazetar britaniko-zviceran, kontribues në mediat “The Indipentent”, “Huffington Post”, “Guardian” dhe “New York Times”. Autor i disa librave studimorë, me fokus depresionin, humbjen e vëmendjes dhe teknologjinë. Intervista për Enrico Franceschini u përkthye në shqip nga Erjon Uka.