Shënime në Blog

Populizmi gjithmonë do të dështojë vetë

Populizmi gjithmonë do të dështojë vetë

Nga Jan-Werner Müller/ Edhe pse opinionistët, e madje shumë politikanë, na thonë vazhdimisht se jetojmë në “epokën e populizmit”, është konsoliduar ideja për ta aplikuar fjalën populizëm për fenomene të çdo lloji, për të cilët zotërojmë koncepte realisht shumë më të sakta si nacionalizmi, racizmi apo proteksionizmi.

Kjo ka bërë që populizmi të duket gjithëpërfshirës, ndërsa me zvogëlimin e aftësisë sonë për të dalluar ndryshimet, është bërë më e vështirë të kuptojmë dinamikat reale të politikës së kohës në të cilën jetojmë. Cilat janë, pra, këto dinamika?

Një mënyrë e zakonshme për t’i kuptuar është ajo e vëzhgimit të një "vale" populizmi, që ose po përparon, ose po tërhiqet. Një pikë kulmore për këto lloje komentesh ishte pranvera e vitit 2020, kur shumë vëzhgues hipotetizuan se pandemia do ta "vriste" populizmin. Një ide e këtillë bazohej në supozime të gabuara.

Vetë përkufizimi i valës (qoftë në përparim apo në tërheqje) është një gabim. Ky përfytyrim rezultoi të ishte thellësisht problematik për dy arsye: Së pari, është empirikisht mashtrues. Të argumentosh se ekziston një “valë” nënkupton, sipas përkufizimit, se bëhet fjalë për një proces pothuajse natyror, të pandalshëm (në fund të fundit, kush mund ta ndalojë një valë?). Kjo na bën ta mbivlerësojmë fuqinë e populizmit, duke na verbuar përballë vendimeve të atyre aktorëve specifikë që sjellin në pushtet politikanët populistë.

E gjitha kjo na çon drejt pasojës së dytë të rëndë të metaforës së valës: injektimi në qendrën e djathtë dhe mes konservatorëve i asaj që mund të përkufizohet si disfatizëm politik. Nëse populizmi është një valë e papërmbajtshme, çfarë mund të bëjnë për ta ndaluar? Asgjë. Por, në mendjet e tyre, mund të jenë ende në gjendje të përshtaten. Nga këtu, vjen braktisja e asaj që në disa vende ka përfaqësuar për shumë vite një "kordon sanitar". Në disa raste, po bëhemi pjesë e bashkëpunimit faktik me populistët e të djathtës ekstreme: zgjedhjet suedeze të vitit 2022 janë një shembull veçanërisht goditës.

Megjithatë, përfytyrimi i valës rezistoi, dhe bashkë me të edhe besimi se pandemia do ta bënte të tërhiqej. Pritshmëria bazohej kryesisht në idenë se populizmi do të karakterizohej nga pozicione të thjeshtuara në nivelin politik dhe se një sfidë aq komplekse sa urgjenca shëndetësore lidhur me Covid-19 do të nxirrte në pah themelet e paaftësisë së populistëve.

Pati qartësisht disa dështime spektakolare, ku në vend të parë janë Trump dhe Bolsonaro. Por populistë të tjerë e kanë marrë seriozisht këtë sfidë. Në kundërshtim me atë që pretendohet ndonjëherë - domethënë se këta aktorë tentojnë të krijojnë dhe zgjasin artificialisht krizat që ata vetë i inskenojnë - shumë populistë në qeveri donin që pandemia të përfundonte vërtet sa më shpejt të ishte e mundur (rasti i populistëve opozitarë është pak më shumë i komplikuar). Pra, pse Trump dhe Bolsonaro ishin një rast i jashtëzakonshëm?

Një prej arsyeve është se sistemet presidenciale i kanë lejuar ata të përfshihen në diçka që sado paradoksale, shpesh duket të jetë një atribut i populistëve. Ajo që dua të them është se populistët, siç dëgjojmë shpesh, janë "kundër elitave". Por, pasi vijnë në pushtet, ata janë vetë "elita".

Për të vazhduar të veprojnë dhe, në veçanti, të flasin si populistë, ata do të duhej të qeverisnin disi kundër vetvetes; prandaj pritet që, nëse nuk janë krejtësisht irracionalë, populistët në pushtet bëhen të moderuar dhe efektivisht pushojnë së qeni populistë.

Kjo kontradiktë e dukshme - qeverisja kundër vetvetes - mund të bëhet realitet, qoftë edhe në një farë mënyre të qëndrueshme, nëse nga pozita e presidentit përballemi me një sërë aktorësh me prejardhje të ndryshme politike, por edhe të pajisur me fuqi vendimmarrëse. Kini parasysh këtu një legjislaturë të kontrolluar nga një parti tjetër nga ajo e presidentit.

Ky arsyetim ndërlikohet në sistemet federale, ku guvernatorët me ndikim mund të vijnë nga partia opozitare. Kjo është pak a shumë ajo që ndodhi me Trump dhe Bolsonaron: u paraqitën si alternativa liberiste në kontrast me ata që e morën seriozisht pandeminë; dhe sigurisht, e shitën veten si kampionët e asaj që populistët shpesh i quajnë "njerëz të vërtetë".

Në fund që të dy e paguan çmimin në votime dhe nuk u rizgjodhën. Ja pra që narrativa sipas së cilës "populizmi gjithmonë do të dështojë vetë" u përforcua edhe një herë. Por është thelbësore të mbajmë mend se Trump dhe Bolsonaro ishin raste anormale dhe jo më emblematikët e një logjike të përgjithshme populiste.

*Jan-Werner Müller është filozof politik gjerman dhe historian i ideve politike, i angazhuar në “Princeton University”. Është autor i 10 librave, ndër të cilët “Çfarë është populizmi?”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.