Pse po i bëjnë të gjithë deklarata dashurie Giorgia Melonit?

Nga Edi Rama te Trump dhe Elon Musk, kryeministrja italiane duket e rrethuar nga admirues, ose si thuhet në italisht, corteggiatori.

Kryeministri shqiptar Edi Rama në disa takime është parë t’i përkulet me përulësi simbolike, gjeste që kanë tërhequr vëmendjen e mediave italiane dhe atyre europiane.

Presidenti Donald Trump, gjatë një konference për mediat me Melonin në Shtëpinë e Bardhë, nuk nguroi të lërë një koment të zjarrtë:
“Të gjithë e duan dhe e respektpojnë atë… Do të thoja ajo ka pushtuar Europën,” ka thënë Trump me entuziazëm.

Biznesmeni i teknologjisë Elon Musk, me vlerësime jo më pak romantike, e përshkroi Melonin si: Të bukur brenda e jashtë, të vërtetë dhe të ndershme.
Së fundmi, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka bërë një deklaratë, duke përmendur kryeministren italiane Giorgia Meloni si udhëheqësen botërore më të pëlqyer, si prej tij, ashtu edhe nga Presidenti Donald Trump.

“Nga të gjithë liderët botërorë që kemi takuar, ajo që ne të dy e kemi parë në mënyrë të vazhdueshme si një urë shumë të dobishme midis SHBA-së dhe Europës është Meloni,” – deklaroi Vance në një intervistë teksa kthehej në Uashington nga Roma.
Pse e admirojnë kaq shumë Melonin?
Sipas JD Vance, Meloni është një lidere që përfaqëson të njëjtat vlera konservatore që ndajnë ai dhe Trump, por ajo dallohet për dy cilësi kyçe:
Aftësia për të dëgjuar me kujdes:
“Kur dy persona nuk bien dakord, ajo përpiqet të kuptojë se nga vjen secili, dhe është mjaft e mprehtë dhe e thellë për të kuptuar vërtetë thelbin e dallimeve.”
E drejtpërdrejtë, por pa ofenduar:
“Është jashtëzakonisht e drejtpërdrejtë. Më kujton pak Usha-n (bashkëshorten time), në mënyrën si di të përcjellë një mesazh shumë të qartë pa të ofenduar. Kjo është një aftësi më vete – të jesh i sinqertë pa ngritur mbrojtjet e tjetrit.”