Largohen 3 të mërzitur nga LIBRA. Akuza për arrogancë
LIBRA, partia e Ben Blushit ka filluar të ketë rrjedhjet e para, pa e provuar ende veten përpara votës së popullit.
Në fillim ishte ish-studenti i dhjetorit Ardi Stefa, më pas pedagogu nga Durrësi Ervin Shahini. Ndërsa sot, Adela Limanaj Bezaitis, një prej 31 anëtareve të Bërthamës së partisë LIBRA, që u përzgjodh në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie, është largimi i tretë brenda pak ditësh për partinë e Blushit.
Ajo madje ka shpërthyer ndaj Kryetarit të LIBRA-s, lidhur me mënyrën, sipa saj autoritare, që Blushi ka përzgjedhur kandidatët për deputetë. Për Bezaitis, kryetari i LIBRA-s, dhe njerëzve që e ndjekin atë, janë një tufë arrogantësh dhe injorantësh. E.C/Tiranapost.al
Reagimi:
REFUZOJ TË JEM LIBRA
LIBRA sa fjalë e madhe e kuptimplotë por që partia është e padenjë të mbajë këtë emër
LIRI – BARAZI – EKUILIBËR – DIJE , në fillim i përkraha me bindjen se do bëhej një gjë e mirë më së fundi dhe në Shqipëri.
Por zhgënjimi erdhi shumë shpejt.
Ka sigurisht anëtarë të LIBRA –s persona burra e gra , të rinj e të reja të cilët kanë parime që i udhëheqin në veprimtarinë e tyre të përditshme dhe sinqërisht unë ndiej respektin më të madh për punën që bëjnë duke sakrifikuar kohën deri dhe kontributin e tyre financiar për partinë.
Por sinqerisht më vjen keq e gati po më dhimbset Ben Blushi që la veten e tij në kaq pak kohë të rrethohet e dominohet nga një grup njerëzish që vetëm me parimet e LIBRA-s nuk mund të jenë por qëllimin e tyre kanë si të lëpijnë prapanicën e kryetarit për marrjen e ndonjë llokme në të ardhmen , që janë meskinë, arrogantë , kokëboshë, prapaskenikë dhe mbi të gjitha pa etikë komunikimi.
Më e shëmtuar e kësaj gjëje është se gjithë kjo shëmtirë, kjo vorbull me ujë të qelbur pranohet dhe miklohet nga kryetari.
Ben Blushi , ti mund të flasesh bukur në Parlament e studio televizive por je i pabesueshëm për aq kohë sa nuk je në gjendje të organizosh partinë, të vlerësosh njerëzit, të bësh së bashku me grupin e punës një program partie e mbi të gjitha të bëhesh pjesë e antivlerave.
Partia do impenjim, parime, vlerësim të njerëzve dhe jo pallavra.
Mbaji kulishët, injorantët, arrogantët, prapaskenikët, njerëzit që nuk mbushin e nuk kanë kapacitete intelektuale mbaji rreth vetes se do ta shikosh ku do përfundosh, shumë shpejt do etiketohesh edhe ti si parti e vjetër, njerëzit nuk do të votojnë o shkrimtari i “ madh” e politikani i vogël.
Unë REFUZOJ të bëhem pjesë e gjithë kësaj maskarade , pra siç kuptohet fare lehtë REFUZOJ të vazhdoj të jem LIBRA, jap dorëheqjen nga Bërthama e Partisë dhe nga anëtarësimi për t’u ndjerë e lehtësuar e për të vazhduar të ndjek parimet e mia dhe vlerat që më kanë lënë trashëgimi prindërit e mi.