"Të lirë", nga Lea Ypi! Librin që e prita 30 vjet!
E di që kam bërë mungesa! Ky kthim pas kaq shumë kohësh i dedikohet një libri për të cilin ndjehem e shpërblyer si botuese që më në fund arrita ta kem në shtëpinë botuese.
Libri “Të lirë”- “Të rritesh në fund të historisë” shkruar nga Lea Ypi është pa asnjë hezitim libri i panairit, dhe bindshëm libri i 30 viteve për një histori që duhet ta shohim përmes inteligjencës dhe humorit.
E di që janë bërë filma, edhe shumë të mirë. E di që janë shkruar dhe libra shumë të mirë nga autorë që meritojne admirim, por ky libër është një risi. I shkruar fillimisht në anglisht, nga Lea Ypi, pedagoge në Londër, studiuese, shkrimtare, një shqiptare që siç thotë ajo, “u rrit në fund të historisë”.
Ky nuk eshte një libër, ky është vetë Libri që unë vetë kam dashur të lexoj në këto 30 vite, dhe nga ana profesionale, më përmbush plotësisht.
Mund t’ju duken të ekzagjeruara këto fjalë, por me këdo që nuk e ka lexuar këtë libër jam gati të vë bast se do të ndihet njëlloj pasi ta lexojë tani edhe në shqip, sepse siç ju thashë, libri u shkrua fillimisht në anglisht dhe po korr sukses.
Bëni një kërkim në Twitter e do te shihni sa vlerësime dhe vëmendje po rrëmben shqiptarja Lea Ypi që rrëfeu historinë tonë në anglisht.
Libri më në fund erdhi në shtëpi, dhe erdhi si një botim origjinal, për fat Lea e përktheu, e shkroi në shqip se ky është libri ynë, në fakt të duket sikur e ke shkruar vetë, ti ke aty një copëz tënden, një vend a një ndjenjë që të përket thellësisht. Dhe këtë e ndjen faqe pas faqeje, rresht pas rreshti.
“Të lirë”- “Të rriteshn në fund të historisë” -është një miks inteligjence me ndjesi e talent shkrimtareje. Flitet me gjuhën e një vajze të vogël, por nga pas qëndron mendja gjeniale e Leas.
Për mua ky libër është i rrallë për nga sinqeriteti, me të cilin është shkruar.
Janë vërtet të rrallë njerëzit që shkruajnë kaq pa komplekse dhe po aq me një kurajë për të treguar historinë që e kemi jetuar të gjithë, por jo treguar. Historia është një rrëfenjë për jetët e jetuara, fundja.
Unë do të dëshiroja që ky libër të lexohej nga kushdo, pa pikë përjashtimi, nga ne që u rritëm në fund të historisë, por dhe për ata që erdhën e do të vijnë më pas, do të doja që ky libër të provokonte një diskutim të gjatë, të mos mbyllej sot. Mendoj se sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për një shkundje të fortë, të reflektojmë se nga erdhëm e ku po shkojmë.
Dhe për fat, sot e kemi edhe librin e duhur
Tiranapost.al