Sa nje kafe nga Iva

Ra ky virus dhe e pamë kush jemi!

Ra ky virus dhe e pamë kush jemi!

Teksa ditët e fundit shihja se si Italia, bell paese, vendi përballë nesh me të cilin japim e marrim më shumë ekonomikisht, njerëzisht, shpirtërisht, po binte në gjunjë përballë virusit nuk mund të mos mendoja “Zot mba dorën!”. Sepse nëse atyre iu doli situata jashtë kontrollit, siç po zbulohet çdo ditë e më shumë, për shkak të sjelljes njerëzore, ne jemi vërtetë si ata, por dhe pak më keq. Jemi si ata, përsa u takon ca zakoneve, (të mira në kushte normale, por fatale në raste pandemish) si dëshira për të qëndruar me orë të tëra nëpër lokale e restorante e për t’iu nënshtruar “mëkatit të shijes”, për t’u përqafuar e për t’u pllaquritur me njëri tjetrin sa herë që takohemi, për të vajtur e për të ardhur në shtëpitë e njëri tjetrit, për të thënë “është veç një grip, s’na gjen gjë”, për të dhënë mend, për të thënë që mjekët ia fusin kot, për të thënë që qeveria nuk po merr masa, për të thënë që qeveria po ia fut kot me masat që ka marrë, për t’i besuar internetit para çdo gjeje, për t’i besuar mendjes sonë mbi çdo gjë, për të shpresuar se dielli dhe i ngrohti që po vjen do e zhdukë të keqen dhe se nuk ka gjë që nuk e lufton humori dhe memet… Por jemi ca më keq se ata dhe për një gjë tjetër: higjienën. Nëse në bregun përballë u zbulua se ende njerëzit nuk e dinë se si lahen duart, ne këndej e kuptuam edhe që ka njerëz që ende nuk e dinë se sa e neveritshme dhe e rrezikshme është të pështysh përtokë. Dhe kjo është diçka që nuk ekziston në udhëzuesit e OBSH-së, as në artikujt e mjekëve japonezë që qarkullojnë në internet këto ditë, sepse si zor se ndonjë mjeku a shkencëtari i shkon në mend që pasi të ka thënë se si të mbulosh gojën kur teshtin, të të thotë dhe këtë punën e të pështyrit. Bota thotë qëndroni në shtëpi dhe lani duart. Ne duhet të shtojmë edhe “mos pështyni në tokë”, me shpresën që nuk do na pështyjë njeri në fytyrë kur ta lexojë. “U bëre ti të më tregosh mua si të sillem”, ta thonë shqiptarët pa të keq. Ta thonë dhe të lënë pa mend.

“Injoranca vret më shumë sesa virusi”, iu përgjigj një zonjë dje në Instagram shqetësimit tim për këtë punën e higjienës dhe zakoneve të shpifura të shqiptarëve. Dikush tjetër më thoshte se ndoshta, me këtë rast, njerëzit do i vënë gishtin kokës dhe do i mësojnë këto gjëra kaq elementare, se gjithë ljo hata do ta bënte një të mirë, do na bënte njerëz. Në mos e bëfshin me të mirë, do e bëjnë me pahir. Si braktisjen e kafeneve përshembull, vetëm pasi ndërhynë “nga lart” për t’i mbyllur. Ndoshta ky virus do të na mësoje se si kafja mund të pihet edhe në ballkonin e shtëpisë. Mund të na mësojë kënaqësinë e të lexuarit, qëndismës e grepit, gatimit të vakteve të ngrohta, rregullimit të sirtarëve apo enden nëpër albumet e fotografive. Mund të na ktheje dëshirën e të ndenjurit në diell në ballkon apo në mbrëmje me një batanije dhe një gotë verë. Mund të detyrojë ndoshta dhe burrat e pallatit tim të rrinë në shtëpi me gratë dhe fëmijët e tyre, dhe jo në klubin poshtë siç bënin mbrëmë, me gotën e rakisë dhe me dritën fikur që të mos i shihte ndonjë makinë policie. Mund t’i mësojë të kthehen në shtëpi, të shohin se sa gra të mrekullueshme kanë dhe t’u hapë sytë se si ato mundohen gjatë gjithë vitit dhe bëhen copash për të mbajtur shtëpitë dhe fëmijët, mund t’i bëjë ndoshta dhe të mendojnë t’i ndihmojnë e t’i lehtësojnë nga pak. Ndoshta ky virus mund të na mësojë gjithëve se nuk ka kuptim të mendojmë që nuk ka gjen gjë dhe se si jeta jonë ndikohet edhe nga gjërat e padukshme, që nuk varen nga vullneti jonë.

Ndoshta ky virus mund të na bëjë që ta shohim ndryshe një ditë me diell, siç e pashë unë sot në mëngjes kur nxora qenin në rrugicat afër pallatit, ndërsa zemra më qante të ecja me tej, të shijoja çdo lule kumbulle teksa pendohesha për shumë ditë të tjera të bukura që i kam çuar më kot në divan…

Një virus mund të na bëjë të shohim jashtë dhe brenda nesh pak më gjatë. Dhe shpresoj që sapo të dalim nga kjo e keqe të kemi nxënë pak më shumë. Në mos na bëftë më të mirë, së paku të na bëjë më të pastër. Gjëra të tilla të mëdha nuk ndodhin kot.