25 Rreshtat e Mirës

25 rreshtat e Mirës/ Rubrika “vende ku ndihem mirë”

A ju ka ndodhur edhe juve që, sapo Tirana zbrazet, ju duket sikur keni mbetur vetëm, ndoshta i vetmi nga rrethi juaj në qytet… dhe, çuditërisht, kjo ndjesi ju pëlqen?

Ka ku të parkosh. Ka ku të shkosh. Qyteti merr frymë ndryshe.

Shumë njerëz që vijnë nga jashtë, kushërinj, miq, të njohur, disa nga podkasti e disa nga jeta, më pyesin gjithmonë: ku të shkojmë për mëngjes, ku për peshk, ku për darkë?

Gjithmonë u jap sugjerimet e mia. Pastaj dikush më tha: “Pse nuk i tregon edhe në Instagram?”

Dhe ja ku jemi.

Do të ndaj me ju vende që më pëlqejnë. Jo si kritike restorantesh, por si dikush që kërkon vende ku ndihet mirë.

Sot: Zabo Garden.

Nëse doni t’i bëni vetes dhuratën e një dite pushimi, pa shkuar me pushime, shkoni te Zabo.

Dy momentet e mia të preferuara janë brunch-i dhe darka.

Brunch-i ka një atmosferë që më kujton Milanon. Ndërsa darka sjell muzikë, njerëz të veshur bukur dhe atë energjinë e qyteteve ku të duket sikur gjithçka është pak më elegante.

Ka diçka të veçantë. Hyn brenda dhe të krijohet ndjesia sikur je në Via Roma. Mund të blesh një parfum, të shohësh trendet e fundit dhe më pas të ulesh për të ngrënë. Është njëkohësisht dyqan, restorant dhe një vend ku njerëzit dalin për të shijuar mbrëmjen.

Është shumë i fotografueshëm, por mbi të gjitha është një vend me atmosferë. Ka atë ajrin e jetës së mirë që të bën të harrosh se je në një ditë të zakonshme pune.

Ajrisin, krijuesen e Zabo Garden, e kam njohur fillimisht në Instagram. Më kishin bërë përshtypje mendimet e saj për stilin dhe estetikën. Kur më tregoi për Zabo Garden, shkova nga kureshtja. Që atëherë kthehem herë pas here. Është një nga ato vendet ku, kur nuk mund të iki me pushime, bëj sikur jam me pushime.