12 lajmet më të lexuara të vitit në TIP

Të gjithë të çmendur pas një seriali, ku të varfërit vdesin në lojën e të pasurve!

Ky është një ndër lajmet më të lexuar të vitit 2021 në Tiranapost.al

Të gjithë të çmendur pas një seriali, ku të

"Squid Game" është një serial brilant korean në "Netflix" . Matësi për këtë është audienca! Suksesi është ideja!

Ideja e producentit korean ku përmes një loje për para vdesin dhe masakrohen njerëz të varfër. Njerëz që nuk kanë asgjë për të humbur, që i gjakosin faqet e thyejnë brinjët e vdesin brutalisht në përpjekje për të fituar një çek në fund. Për të vdekur si tekë e lojës të të pasurve "Squid Game" është një gjetje e jashtëzakonshme e psiqikës dhe moralit të shoqërisë. Autori ka ditur të përshtatë brenda një loje fëmijësh të gjithë instinktet e njeriut: zilinë, pabesinë, trimërinë, vëllazërinë, dashurinë, tradhtinë, etj. Por edhe të gjitha stadet e njeriut: varfërinë+pasurinë.

Pabarazinë mes të pasurve dhe të varfërve, por edhe barazinë që takohet tek lumturia: asnjëri nuk e zotëron dot, njëra palë prej varfërisë, tjetra prej pasurisë.

Ka dhunë, ankth dhe një fund provokues me fituesin e vetëm të dalë të gjallë, i cili nuk arrin të gjejë triumf tek milionat. Nuk arrin as të udhëtojë tek e bija në LA, por kthehet në sekondin e fundit, ndoshta për Lojën.

"Squid Game" nuk dihet nëse do të ketë një sezon të dytë, por një mjaftoi për të çmendur botën me vijën muzikore, lojërat, biskotat, veshjet dhe sfidën deri në vdekje.

Tundimi dhe joshja, por edhe zbrazëtia që rrjedh nga shpirti i lodhur i të pasurve, apo lufta që buron nga shpirti që dhemb i të varfërve. Kurioziteti për të provuar shijen e pasurisë.

Pse njerëzit u tërhoqën deri në atë pikë dhe brendësuan një serial dhune e poshtërimi të të varfërve? Sepse në thelb shoqëria e urren të dobëtin, e përbuz të varfërin. Të pasurit në shoqëri nuk ia mban askujt t’i anatemojë. Ka një prirje glorifikimi për ta. Shumë pak ngrihen kundër tyre kur ata bëjnë të njëjtën gjë si dhe një mesatar apo i varfër. Këta të fundit i këpusin.

Nuk është e lehtë të sulmosh njerëzit e pushtetshëm dhe të pasur. Sepse është në ADN-në e njerëzimit me shekuj mënyrë jetese që të pasurit kanë të drejtë të nënshtrojnë. Skllavëria, kolonizimet, regjimet, të gjitha mbeten në kujtesën e ADN-së së njeriut. Është biologjike të amnistosh të fortin dhe të përbuzësh të dobëtin. Është më e mundur të mundësh të singjashmin sesa atë që e sheh lart e të paarritshëm.

Madje edhe në Shqipëri, që deri para 30 vjetësh ishin të gjithë aty-aty e të varfër, sot duket sikur kjo ADN-ja s’punon!

Ata kanë shumë ndjekës, shumë salltanete, shumë shtëpi, shumë akses, shumë miq por edhe shumë urrejtje për të dobëtin, që dikur kanë qenë edhe vetë.

Askush nuk do të jetë vulnerabël, por ndonjëherë e vetmja alternativë është të jetosh si një njëri i dobët që ndjek dhe duartroket "Squid Game"-in tënd të përditshëm duke adhuruar çdo gjë në rrjetet e tyre sociale, punën, veshjet, fëmijët e tyre ju bëjnë përkëdhelira më shumë së të vetëve. Janë disa portale që jetojnë për fëmijët e x dhe y: shkëlqen… epike…x postoi beben dhe ne nuk duam më asgjë nga dita.. y ndau këtë foto dhe ne jemi pa fjalë… etj etj sublimime për kë qëndron më lart në hierarkinë shoqërore- familjarisht!

Ju kalon jeta duke kundruar pushimet dhe të qeshurat e tyre nëpër foto. Ka me qindra të tillë që do vdisnin për njerëz që as nuk e dinë që ekzistojnë. Është e tillë jeta, dhe këtu nuk llogarisim Kate Winslet apo Alen Deloni e kohës -këta janë yje që e meritojnë sublimimin për talentin dhe kënaqësinë që i kanë sjellë botës. Jeta çohet dëm për çdo të famshëm që është i tillë se është i pasur, apo i pasur që është i famshëm se është i tillë. Pa asnjë talent apo vlerë shpirtërore. Më së shumti janë figura që shfaqin tërë kohës gjithë arsenalin e arrogancës së “jetës së lartë”.

Cinike dhe e vërtetë: ideatori i "Squid Game" i nxori në pasqyrë të metat e shoqërisë dhe fatalitetin e prirjes njerëzore për të duartrokitur masakrimin e të dobtëve nga të pasurit! Çfarë mendje e bukur me një të vertetë që e kemi patur para syve të gjithë.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected].