25 Rreshtat e Mirës

25 rreshta për Moza Ahmetin versus banalitetin

25 rreshta për Moza Ahmetin versus banalitetin

Nga Mira Kazhani/

Mimoza Ahmeti dhe ekrani kanë pasur gjithmonë një tension mes tyre. Një lloj distance jo refuzim i pastër, por as afrim i qetë. E ka shtyrë, e ka shmangur, e ka vënë në provë dhe, ndoshta për herë të parë, sot duket në paqe me të.

Ka shumë vite që është këtu Mimoza Ahmeti, por tani po e njohim mirë.

Më kanë pyetur disa ndjekës: Si ka mundësi që nuk e ke ftuar për një bisedë në “ZëmeMirën Podcast”?

Më shumë se tri herë, pra.
Herën e parë më tha me dashamirësi: “Mira, të kalojë vapa. Kam shumë vapë për të folur”.

Herën e dytë: “Nuk dua të shfaqem më në ekrane”.

Ndërsa herën e tretë nuk donte më të fliste për jetën, por vetëm të recitonte poezitë e saj.

Siç e shihni, nuk kam qëlluar asnjë ditë në shenjë. Por në të gjitha rastet e kam ftuar me bindjen se do të ishte një nga ato podkastet plot origjinalitet dhe botë të pasur. Siç dhe ia kam respektuar humorin apo ritmin e jetës.

Këto ditë po e shoh edhe unë Mozën, si të gjithë në ekranin e telefonit, dhe ka bërë shumë mirë që ka thënë “po”. Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë sot për t’u njohur e kuptuar sesa media. Edhe pse Moza nuk kërkon ta kuptojnë. Ajo nuk pret konfirmime. Ajo di të jetë!

Moza Ahmeti ka shkruar libra, poezi, ka pikturuar, është rebeluar, por asnjëherë nuk e ka marrë këtë lloj dashurie në kor, që vjen nga lehtësia e të qenit thjesht Njeri. Por me një kusht: i shfaqur në ekran.

Prandaj njerëzit e kultivuar si ajo nuk duhet të sprapsen, por të dalin. Sepse ky vend është shumë i vogël, për t’u marrë seriozisht me boshllëkun.

Moza e vrau banalitetin ekranor pa zë të lartë, pa seriozitet të sforcuar, pa imponim. Thjesht duke i thënë “po” një ftese mediatike.

Media ka plot të meta. Por pa atë nuk do ishim sot duke ventiluar mendimet me batutat, pyetjet e Mozës.

Ka një arsye pse të gjithë po tërhiqen pas Moza Ahmetit.
Ajo është alteregoja e gjithkujt. Pasuria në mendim dhe drejpërdrejtësia që mungon vërdallë, por me dije dhe finesë. Ajo po merr dashuri ngaqë nuk po kërkon dashuri. Eshtë thjesht “let it be”

Uroj që ajo të mos lodhet dhe t’i shkojë deri në fund. Sepse, dëgjova që kishte thënë në Bibliotekën e Fierit, para pak kohësh se po hynte për një të sëmurë dhe, ndoshta edhe për ndonjë ëndërr të vetën.

E meriton! Sepse e ka fituar që në 24-orëshin e parë Fermën Vip.

Fat, jo suksese, Moza!
Sepse, siç thotë ajo: Të suksesshmit bien kur nuk kanë fat.