25 Rreshtat e Mirës

9 sekondat imponuese që po kthehen në makth

9 sekondat imponuese që po kthehen në makth

Sot më kapi syri një reagim të gazetares Jonida Aliçkolli për disa nëna të reja, që sipas gazetares, po e teprojnë disi me leksione për fëmijët që në hapat e parë.

Nuk kam asnjë koment në këtë sferë e as dëshirën më të vogël për të gjykuar pa përvojë. Jam jashtë kësaj are, po ama spicat m’u futën për një shënim që e rrokanis në kokë prej ca javësh. Nuk ka lidhje vetëm me nënat e reja sesa me botën e egër të reklamave, ose siç i quan Bruno Patini (gazetar francez dhe profesor) “9 sekondat” që e kanë bërë rrjetin gjahtar të lig. Ai flet për modelin komercial të platformave mbi publicitetin, efikasiteti i të cilit varet po nga rrjeti dhe dedikimi i atyre 9 sekondave.

Kam ndjekur me interes vajza të famshme që janë bërë nëna këtë verë. Njëra më e bukur se tjetra, të çiltra, të dëshiruara për fëmijën e tyre. Më ka pëlqyer shumë promovimi i lindjes natyrale dhe sigurisht i familjes normale. Kam shkruar e postuar në Tiranapost pa limit.

-Sot lexova gjithashtu edhe debatin që ka nisur në Kosovë për analfabetizmin! Sa mirë që po e flasim, sepse kush nuk po hedh dru në atë zjarr që po djeg. Politika pa politikë. Kemi gjithë verës që vrasim mendjen a flet Rama me Bashën, po me Metën?! Kush është më i zgjuar, po më budalla? Dhe nga ana tjetër nuk dimë a do fillojnë shkollat në shtator e nëse jo, a ka një program qeveria shqiptare, a ka një plan B për shkollën online? A ka një grup pune që po punon? Kurrgjë nga këto. S'ka gajle, se OKB-ja ka thënë se dy vite të djegur shkollorë do shkaktojnë një katastrofë arsimore, ne, ka rëndësi të dimë ikën Besa dhe a vjen Shpresa.

Analfabetizmi dhe injoranca janë buka e kohës sot. Media online pluskon në klikime kur godet poshtë brezit, kur futet poshtë dhe sidomos bie sa më poshtë. Tekstet janë mizore në shumë portale, lajme me çudira fizike, me makabritete dhe sigurisht me skandale treçereku imagjinatë. Ato pak që tentojnë të ruajnë etikën dhe mendjen e kokës janë në stresin e vazhdimësisë apo jo. Jo të fundit për nga rëndësia, reklamuesit (me ndonjë përjashtim të vogël) janë duke shitur produkte vërtet, por edhe duke vënë tulla tek përbindëshi i përbashkët: injoranca. Sendet ndërrohen por njeriu mbetet këtu mbi tokë e sjelljet e tij kanë pasoja. Të gjithë valltarët, politika, media, biznesi janë duke i mbajtur njerëzit të mpirë, sa më shumë të mpirë.

Tani po marr shembullin që nisa në fillim. Kam zgjedhur më delikatin dhe më të sinqertin, sipas meje.

(Për parantezë, reklama është pjesë e kësaj shoqërie dhe kush ka talent, famë, ndjekës dhe shpirt biznesi duhet ta bëjë pa ekuivok, por ka një kufi dhe ende pak vend për jetë private).

Siç ju thashë në fillim, këtë verë u bënë nëna disa vajza të njohura dhe në Tiranapost vumë re se: Ndërsa prisnim me kureshti foton me dorën e vogël, mesazhin e ndjesisë së mëmësisë, pa asnjë përjashtim tek të gjitha u shfaqën tekste të gjata me falënderime për spitalin privat, për biberonin me markën e caktuar, për kremin magjik që duhet blerë në filan adresë për momentin kur përthahen thithkat (nëna ime, që ka qenë mamì, thotë se ditët e para krijohet një kore), për pampersat, etj., etj.

Doja të shkruaja ato ditë: lërini vajzat të lindin rehat, t’i japin gji bebit, të postojnë foton me shokun e jetës, të jenë të lira t'u dhembë barku e të marrin veten për disa ditë nga salla e lindjes. Pas një jave t’i postonin të gjitha reklamat. Pret ai dreq kremi. Do shitet, se nuk ka ku shkon. Nuk mund të të personifikohet nga një shampo dita më e bukur e jetës. Jo të gjithë e kanë provuar dhe kanë fatin të bëhen nëna apo prindër!!

Dikush ka vërtet shumë nevojë për atë reklamë, një tjetër e ka punë dhe paguhet mirë ndoshta, se nuk jemi si bashkëshortja e Ermal Fejzullahut që lindi para një viti fëmijën e katërt, e nuk postoi një krem a spital. Jo të gjithëve mund t’i imponohen lehtë gjahtarët që presin tek dera e maternitetit. Kjo puna e reklamave është bërë aq e natyrshme, në mos garë në Instagram. Mirë do qe të qetësohen të dy palët, edhe reklamuesit edhe vajzat!

Pavarësisht, kam ndjerë keqardhje dhe aty kuptova sa i egër është bërë rrjeti dhe sa dëm po i shkaktojmë humanes, asaj gjësë së thjeshtë në privatësi që quhet jetë.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]