Nga Mira Kazhani/
Sot u nda nga jeta Milan Kundera, një shkrimtar që e dua shumë!
E kam lexuar në ditë të bukura vere por edhe në ditë boshllëku. Humori i tij i thellë me një pesimizëm simpatik; aftësia e Kunderës për t’i hyrë në mendje e stomak lexuesit, dhe talenti për të kuptuar sjelljen njerëzore ishte jeta e tij
Ka shumë rreth Kunderës që mund të thuhen, por në përvojën time personale si lexuese e tij, ose nxënëse e tij, kam të fiksuar në kujtesë mësimin për veten. Sepse vetja jonë është ajo që kemi në dorë (deri diku). Vetja është problemi dhe zgjidhja. Shkaku dhe pasoja!
-Kur Milan Kundera provoi suksesin ndërkombëtar me kryeveprën e tij Lehtësia e padurueshme e qenies ( j’ua sugjeroj të gjithëve) ai u tërhoq nga jeta publike, intervistat, fotot, - të cilat kishte të drejtë t’ja bënte vetëm Vera, bashkëshortja e tij.
“Kisha mbidozë të vetes - i tha ai një miku” Dhe për 37 vjet ai e la famën të ecte me librat e tij.
Kjo gjë e Milan Kunderës më ka mbetur në mendje, dhe doja ta ndaja me ju sot. Sidomos në kohën kur të gjithë jetojme në mbidoza të vetes e të tjerëve dhe jo për shkak kryeveprash. Në kohën kur gjithnjë e më pak e kuptojmë veten dhe pothuaj aspak tjetrin…
Të gjithë vdesim por sic thotë Kundera tek Pavdekësia “ Të jesh i vdekshëm është eksperienca më bazike e njeriut, e megjithatë njerëzit nuk kanë ditur kurrë ta pranojnë, ta përtypin dhe për rrjedhojë të sillen siç duhet me të.
Njeriu thjesht nuk di të sillet si i vdekshëm. Madje edhe kur vdes, ai nuk të sillet si i vdekur”
Ndoshta edhe ai sot këtë po bën.
Ndërsa ne falë këtij shkrimtari të madh mund të kuptojmë veten dhe të tjerët ca më shumë përsa kohë jemi gjallë
P.s Milan Kundera, është i përkthyer në shqip nga Mirela Kumbaro, Saverina Pasho, Balil Gjini dhe Mira Meksi