25 Rreshtat e Mirës

Behari i bukur që premton Silva

Behari i bukur që premton Silva

Nga Mira Kazhani/ Ajo mbërrin me një palë perla rreth qafe dhe buzëkuq. E rrallë për Silva Binon, që e kemi parë në deklaratat dhe intervistat për Covid, me një pamje bardhezi -në një kuptim.

“Epo një herë që vura unë buzëkuq s’do e vija maskën” - thotë dhe ndalon një çast duke parë karriget e kuqe të sallës së Teatrit, e mahnitur: - “Qenka shumë bukur këtu!”

Energjike, pasionante, modeste, por dhe kokëfortë dhe e pavarur. I pëlqen shumë e reja. Gjatë pandemisë e kuptova kur i kërkoja një intervistë dhe më tha që donte që t’i mësoja ato që bëheshin live në Instagram. Nuk gjeti kurrë kohën se nuk e linin studiot televizive në atë pak kohë që mund të kishte -mes orareve deri vonë natën në detyrë. Vetëm para një muaji telefoni im ra një mbrëmje vonë: -"Mira, po fle?"

- “Jo, doktoresha Silva. Më thuaj”

- “Kot të mora, se unë jam si fëmijë për këto gjërat teknologjike. Sot bëra më në fund një live në Instagram me disa të rinj. U gëzova aq shumë dhe doja të të thoja edhe ty dhe i ndihej gazmendi nga telefoni.

E mbyllëm duke lënë intervistën tonë në fuqi deri sa i erdhi momenti sërish, këtë javë, me Tiranën, gjysma me temperaturë, e kollë, e Delta e Omicron bashkë.

Silva Bino vjen nga një familje siç themi ne me stof. E lindur në Moskë, fëmijë i vetëm, një zgjedhje e prindërve të saj, veçanërisht e nënës. Emrin e vërtetë e ka Silvia, edhe kjo një zgjedhje “anti-establishment” e prindërve, si për të sfiduar edhe të ftohtin e Moskës. Më pas me kthimin në Tiranë “i-ja” lozonjare italiane ra, dhe mbeti Silva. Prapë bukur! Mund të ishte bërë aktore, gazetare, ose fizikante.

"Babai duke më njohur, më tha: Jo gazetare sepse je tip i vështirë e do thuash gjëra që do biesh në rrezik”. Mjekësia ishte vendi më i sigurt për të, dhe e ktheu në një eksperiencë të madhe jete.

Është grua e pavarur që ka udhëtuar shumë nëpër botë.

Jo për pushime jo, por si një njeri me vokacion për profesionin e saj, si një zë i shkencës, ku mes sëmundjeve, epidemive, konferencave, ka parë botë me sy dhe ka takuar njerëz të ditur.

Ka qenë 31 dhjetor, teksa piqte gjelin e detit, me telefonin githnjë pranë, zhurma e inbox-it të një email-i i tërhoqi vëmendjen. Më pas u ngrys dhe njoftoi të gjithë miqtë kolegë të saj bashkë me "forward". Për herë të parë ndjeu frikë se diçka serioze po na kanosej. Për mjekët e shëndetit publik, infeksionistët, pandemia ishte vetëm një histori librash deri para dy vitesh. Ata e jetuan profesionalisht, personalisht edhe njerëzisht. E kaluan në lëkurën e tyre.

Silva Bino humbi edhe nënën dhe thotë se për këtë humbje fajëson Covid! I qante zemra për Erifilin e saj të dashur - edhe për pengun që për shkak të pandemisë nuk mundi t’i qëndronte afër sa duhej!

Një lidhje e fortë me mamin, fjalëve të së cilës u referohet disa herë gjatë intervistës.

Një lidhje pasionante me profesionin dhe madje edhe me Coronaviruset: -“Unë i kam pëlqyer gjithmonë Coronaviruset. Jo në kuptimin që dikush mund ta marrë. Kam dashur t’i studioj!”

Sot, gjithkush thotë ajo, mund të krijojë një virus. Sekuenca e tij gjendet në internet! Por kujdes, duhet të jesh një Gjithkush Shkencëtar, ama! Por kjo nuk ndodh, sepse ka protokolle shumë rigoroze, ndaj mos panikoni!

Aq më tepër që Silva Bino është optimiste që këtë behar me Covidin do jemi ndarë! Gjithmonë, nëse nuk do ketë ndonjë rast përjashtimor, virusi po shkon drejt dobësimit dalëngadalë dhe mutacioni i fundit Omicron është lajmëtari. Por s’i dihet kurrë 100 përqind, me asgjë në këtë jetë!

Gjithsesi parashikimi i Silva Binos është një lajm kaq i lumtur! Dhe mund ta shijoni bashkë me bisedën me të. Ia vlen!

*Ndalohet ribotimi pa lejen e editorit i rubrikës "25 rreshtat e Mirës". Na kontaktoni në email [email protected]

Lexo intervistën e plotë, të zbardhur të Mira Kazhanit me Dr.Silva Binon