Nga Mira Kazhani/ Filmi "Zgjoi", i kineastes kosovare Blerta Basholli, ishte shumë pranë historisë për t’u nominuar në ceremoninë më të lakmuar, Çmimet Oscar! Por ajo ç'ka më bëri të mendoj përreth filmit dhe suksesit të historisë së tij ishte regjisorja e tij, Blerta Basholli. Mendova që ishte fytyra që do t'i rrinte përshtat 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ishte intervista që do doja, pa llogaritur Dua Lipën :)
Blertës i shkrova ngado, në Instagram, WhatsApp dhe kur mendova që nuk qe e thënë, u gjetëm!
Në Prishtinë mbërritëm bashkë me grupin e xhirimit, me kuriozitet dhe me ndonjë batutë e humor të zi, kur paguanim tek trau.
Ajo erdhi, pa buzëqeshje. Ndoshta qe prej lodhjes, 8 muaj fushatë pas filmit dhe në fund kupton që prapë nuk mjafton. "Oscar" është lojë e madhe dhe "o vend i madh, o fat i madh".
Ndoshta nuk qe vetëm kjo arsyeja e plotë. Siç mësova, filmi kish shëtitur në kinema kudo, deri në New York, dhe shqiptarët prisnin në radhë. Në Prishtinë “Zgjoi” është rikthyer në kinema, ndërsa në Tiranë, në tetor, filmi kish mbetur me tre-katër spektatorë. Si mund të ndjehesha para këtij konstatimi?!
E para, ndonjëherë duhet pak fushatë më shumë. E dyta, nuk përjashtohet fenomeni i zgjoit tonë, që e ka të drejtuar interesin drejt zhanrit të komedisë.
E treta, iu ndodh edhe regjisorëve shumë të mirë të Tiranës.
Sapo nisi intervista, Blerta ishte ajo që prisja. Një grua e talentuar, e qartë për identitetin e saj artistik, e kthjellët për personalitetin e saj, si grua që nuk pranon të veshë taka dhe se jeton shumë në këpucët e sheshta dhe bluzat e rehatshme.
Është mami e dy djemve të vegjël. Fëmija i fundit e një familje prishtinase, ku si më e vogla ka pasur lirinë të zgjedhë një profesion disi luksi, siç është arti.
Ajo e di që në filmin e saj, fabula e Fahrije Hotit, bashkë me aktoren Yllka Gashi, janë një pikë e fortë. Por ajo që më pëlqeu më shumë tek Blerta ishte se i përmendi kolegët e saj, regjisore të tjera si Blerta Zeqiri, Kaltrina Krasniqi, me simpati e si një shoqe e vërtetë.
Blerta ishte një shoqe e mirë! Një artiste nga zgjoi i Kosovës, që prodhon mjaltë më shumë sesa politika, përmes muzikës, sportit, kinemasë... duke i dëshmuar botës se kombet i bëjnë njerëzit e tij të gjallë, sa heronjtë që dhanë jetën për të!
Gëzuar Pavarësinë Kosovë, me një çikë që thotë shumë për ty, Blertën!
Ndiqe të plotë intervistën në Youtube kanali i Mira Kazhanit
Këtu gjen linkun e intervistës së transkriptuar
Autori Mira Kazhani
Ky podcast u mbështet nga Abi Bank
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore