25 Rreshtat e Mirës

Kampioni pa famë!

Kampioni pa famë!

Nga Mira Kazhani/ E quaj fat të mirë intervistën me një kampion bote, në javën më të nxehtë të botës së sportit!
Briken Calja është fytyra e mirë e Shqipërisë, e vullnetit, e shpirtit ëndërrimtar dhe sidomos e sportit shqiptar.
Është 31 vjeç, shumë i ri, dhe numëron 38 medalje. Më shumë çmime sesa vite jetë! Një talent që lindi dhe u stërvit në fshatin ku jeton me familjen e re, bashkëshorten, Elidiana, dhe djalin e tij që ende s’ka mbushur një vjeç.
Në intervistën tonë ishte i vetmi i ftuar që telefonin e mbajti me zile dhe diku që ta shihte.
Është rregull. Nëse Agjensia Anti-doping telefonon, nuk ka justifikime!
Ju duket regjim burgu?! Pak a shumë! Jeta e një kampioni është një sublimim! Nuk ka dreka, kafe apo bileta avioni kur ta jep truri. Oraret e stërvitjes janë si një regjim ushtarak.
Dhe të mendosh, për shembull, që në mesin e verës të kesh dëshirë të pish një birrë të ftohtë me miqtë dhe të mos e bësh dot! Kjo mund të ndodhë vetëm pas kampionateve, në ato ditët kur bëhet një pushim i vogël.
Brikeni është një kampion modest dhe i përulur, por i mençur. Gjatë bisedës nuk e fsheh që fitoret e tij pak i kanë interesuar medias, se njerëzit këtu flasin për çdo gjë përveçse për fitoret me djersë.
Gjatë rrugës nuk i ka përfillur intrigat dhe formula e suksesit për kampionin e vetëm të botës që kemi është djersa dhe të qenit me këmbë në tokë.
Sigurisht më shumë duhet të bëhet për kampionët dhe ende nuk e kam kuptuar se pse disa bëhen shumë të famshëm dhe rrjeti brohoret tre ditë, ndërsa për Brikenin mund të mos kesh dëgjuar fare ti që po i lexon tani këto rreshta?!

Këtu gjen linkun e intervistës së transkriptuar


Ky podcast u mbështet nga Abi Bank


*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit


Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore