Nga Mira Kazhani/ Nëse ka një lajm që nuk do kisha dashur ta postoj në tiranapost.al, ishte ai për Elsa Lilën. E postova sepse një artiste në ndryshim me një anonim, është gjithnjë lajm. Fakti që është Elsa Lila, s’e bën imune. Deri këtu nuk kisha parasysh korin e moralistëve online, ose siç njihen shpesh me termin “linçuesit profesionistë”.
Personalisht, ndjeva keqardhje, për një artiste që i ka dhënë Shqipërisë dhe nuk i ka marrë ndonjë gjë në këmbim.
Për veprimet e saj që e çuan tek arrestimi duhet të flasë drejtësia.
Prezumimi i pafajësisë është parim universal dhe para se ta linçojmë Elsën pa iu bërë ende gjyqi, le të kujtojmë sa emocione na ka dhuruar e sa krenare na ka bërë në Itali në kohën kur shqiptarët e Shqipëria nuk kishin këtë imazh që kanë sot.
…
Elsa Lilën e kam takuar vetëm një herë në jetën time. Duhet të ketë qenë viti 2008, kur e ndesha në kafen e Top Channel, teksa pinte një cigare. Pa truk, me flokët e shkurtër, dhe me pamjen melankolike që kish nisur të pakësohej tek ajo, por jo inteligjenca apo talenti. Herë pas here kam dashur ta gjej, kontaktoj për një intervistë, ku u zhduk, çfarë bën me jetën, a këndon më?
Pse s'këndoi më? Si kishte mundësi kjo gjë me të? Ajo, këngëtarja me pamjen engjëllore dhe më e talentuara pas viteve '90, që preku Sanremon e para.
Ju kujtohet viti 2003! Sanremo. Elsa Lila këndon "Valeria".
Pippo Baudo e prezanton si këngëtare italiane, por ajo nuk ikën nga skena pa përshëndetur në shqip bashkëatdhetarët e saj.
Dje, për ironi policia italiane në njoftimin e saj e quante këngëtare shqiptare!!! Ndryshe nga Pippo Baudo gati 20 vjet më parë që e quante “këngëtare italiane”.
Çfarë ngazëllimi do ketë qenë ky çast për emigrantët shqiptarë që kishin lënë profesione dhe iu dilte shpirti në një Itali që nuk ishte e sotmja në raport me paragjykimet dhe imazhin tonë.
Po ne këndej kufirit që shihnim Sanremon me zhurmën e gjeneratorëve?
Imagjinoni të ekzistonte Facebook, Tik Tok, Instagram, Twitter në vitin 2003, kur Elsa Lila përshëndeti shqip?!
Ne krenoheshim me Elsën atëherë, ndaj sot mos ta demonizojmë para së të flasë drejtësia për aktin e saj.
Mos t'i bëjmë gjyqin një artisteje me të cilën kemi më shumë se një dekadë që nuk dimë ç`bëhet me të. Nuk jeton këtu, dhe nuk përfaqëson as Shqipërinë në ndonjë post.
-E keni parë gjë Elsën të vijë e të këndojë me projekte të qeverisë apo të bashkisë, të ambasadës italiane, etj., etj?
Ncuq!
Një kujtesë edhe për foton me Edi Ramën që qarkulloi dje në mënyrë të ulët!
Fotoja është në thelb epërsi për Elsa Lilën përkundrejt linçuesve të saj, që i kemi parë sa stërmundohen për t'u kapur pas këpucës së pushtetit dhe për pushtet dhe pasi nuk u del gjë, ndërrojnë pllakë, siç ka ndodhur me disa “dashamirës” në fushatat e Lul Bashës.
Në ndryshim nga ata, Elsa Lila i është bashkuar në një moment të jetës një partie në opozitë, PS-së, ku s`mori gjë mbrapsht.
Kur Elsa Lila dilte në foto me Edi Ramën, në vitin 2009 kishte vetëm “grevë urie” në pjatë. Kur Edi Rama erdhi në pushtet, Elsa iku, në ndryshim me ata që ikin se nuk iu vjen në pushtet “pronari-kryetari”, dhe mërziten - jo për parimet!
Sa për principet dhe moralin, atë e kanë për Elsën dhe Elsat, por assesi për adresën e tyre në Facebook dhe atë të shtëpisë.
A ka një foto të Elsa Lilës me Edi Ramën pas 2013-ës? Edhe po të kishte, nuk përbën asnjë problem etik apo moral. Po, sa për të ilustruar nëse ajo fotoja e 2009-ës i dha diçka në këmbim. A përfitoi nga pushteti socialist Elsa Lila?!
Kjo uria për ta shkatërruar e bërë fije-fije një njeri publik me të dëgjuar një lajm, i cili mund të jetë i vërtetë dhe jo, është e rrezikshme. Aty bien fëmijët, adoleshentët, frekuentuesit më të mëdhenj të rrjeteve sociale.
Kultura e linçimit, jo Elsa Lila, është problemi ynë (më i madh)! Dhe të mendosh se fronti i parë i linçuesve janë thjesht në orarin e tyre të punës. Nuk janë shpëtimtarë, as puritanë. Janë qenie me nevoja, komplekse, ankthe. Janë prindër dhe njerëz si të gjithë të tjerët, si Elsa, si ti që po lexon këto rreshta dhe duhet të dish se sot çdokush ka në dorë të jetë pak më i kujdesshëm kur flet e komenton.
Sa për Elsa Lilën, ishte fenomen në botën e artit shqiptar, por ka kohë që e kemi humbur. Ajo duket se tani i përket jetës së saj.
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected].