25 Rreshtat e Mirës

Muzeu i (pa)fajësisë në Netflix

Muzeu i (pa)fajësisë në Netflix

Nga Mira Kazhani/Muzeu i Pafajësisë në Netflix më erdhi si një sëmbim në zemër. Nuk dua të merrem me rezervat për ritmin apo ndonjë ngërç të realizimit kinematografik. Mjaftoi fakti që një kryevepër botërore si Muzeu i Pafajësisë e Orhan Pamuk erdhi në ekran. Ka ndodhur edhe më parë që librat të shndërrohen në filma apo seriale. Por pse më la kaq mbresë?

Sepse edhe Netflix, i mbushur shpesh me “trash” dhe që pluskon në një lloj boshllëku shpirtëror, papritur hapi një dritare nga letërsia e madhe.

Kur kam lexuar Muzeun e Pafajësisë, më është dukur vetja ndryshe nga të tjerët. Më e informuar. Më e ditur. Më me fat, sidomos.

Unë kam qenë në Stamboll vetëm 12 orë në jetën time, por e njoh atë nga Pamuk, nga Elif Shafak dhe, patjetër, nga seriali Dashuri e ndaluar. Kam parë seriale turke dhe nuk e mohoj që kanë aftësi të jashtëzakonshme për të të futur në ankth, për të të lidhur fort pas historisë që, pothuajse gjithmonë, përfundon keq.

Muzeu i Pafajësisë është një dashuri e madhe që përfundon gjithashtu keq. Por Pamuk ndez aty drita të reja: për barazinë gjinore, për gratë që nuk kanë pse nënshtrohen e as të trajtohen si pasione të fshehta.

Dashuria e Kemalit të prek. Por Pamuk, më shumë se një Kemal romantik e melankolik, ndërton një Füsun që zgjohet në ndërgjegjen e saj si grua, që do të bëhet yll kinemaje dhe që, në një farë mënyre, hakmerret me dashurinë e madhe të jetës në emër të vetvetes. Aty qëndron moderniteti i romanit. Aty qëndron guximi i tij.

Dhe sa bukur që bota e produksionit po kupton se kryeveprat e letërsisë kanë gjithmonë diçka të re për të thënë. Janë të pakohë.

Ne po jetojmë në një botë të shpejtësisë teknologjike, të braktisjes së romantizmit, të zbehjes së vlerave shpirtërore që janë, në thelb, ushqimi i shpirtit tonë. Në një kohë kur personazhet pa thellësi flasin gjithë ditën dhe zërat më të bukur humbasin në zhurmë.

Siç thotë Umberto Eco, sot të gjithë duan të dëgjohen. Edhe pse, për fat të keq, shpesh na duhet të dëgjojmë budallallëkun e tyre.

Mua më mjaftoi që Muzeu i Pafajësisë të shihet edhe nga ata që nuk e kanë lexuar librin. Qoftë edhe për të pasur një ide se çfarë humbim çdo ditë nga letërsia e mirë, nga mendjet e bukura të botës që po zëvendësohen me figura që nuk kanë asgjë për të thënë, por flasin pa pushim.

Muzeu i Pafajësisë është një arratisje e mirë nga boshllëku ku kemi rënë, me hir apo me pahir.