25 Rreshtat e Mirës

Në Berlin, për Shqipërinë

Në Berlin, për Shqipërinë

Berlini është një qytet ku lëvizin shumë fate, liderë, emigrantë, shanse dhe para. Qyteti zgjohet kur ti mendon se do shkosh të flesh. Nuk janë të dashur dhe vështirë se kupton çfarë mendojnë. Por kur vjen puna tek vendet me diell, gjermanët kuptohen menjëherë.

Unë isha në panarin e Berlinit, ITB që është një akronim nga gjermanishtja për prezantimin e ofertave turistike nga e gjithë bota - “Internationale Tourismus-Börse Berlin”.

Shqipëria firmosi marrëveshjen për vendin e nderit në këtë panair. Në 2025-ën emri Albania do të shkruhet në çdo cep të ITB Berlin.

Panairi është frikshëm gjigant. Më i madhi në botë.

Në stendën e këtij viti Shqipëria ishte me dy ngjyra, jeshile dhe blu, por me logon shumë sensesh, “Albania all senses”.

"Çfarë duan gjermanët nga ne?" - është pyetja. Veç diellit domethënë…

Gjermanët duan hiking, det, green, dhe çmimet që i duan të gjithë, pavarësisht sa të pasur janë.

Në verë avionët janë pak të shtrenjtë, edhe tek linjat low cost. Hmmm...

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha thotë se nuk pret që në Vlorë të vijnë vetëm për pushime, por edhe për investime.

Ndërsa Olti Caci, i Sarandës thotë se Ksamilin do ta bëjnë kukull. Të shpresojmë!

Fama e Shqipërisë, si vend i panjohur për t'u zbuluar, nuk mungon tashmë… edhe pse Mirela Kumbaro nuk ia përton të hedhë vallen, pak pas firmosjes se marrëveshjes në ITB Berlin.

Ajo vetë është shumë e bindur që suksesi nuk është tek numrat, por tek cilësia.

Ndërkaq vallja vazhdon dhe unë po shkruaj këto rreshta. Është një muzikë që të kujton përpjekjen tonë sistematike për t'u parë, për t'u dëgjuar, për të thënë që ekzistojmë.

Nëse do të ishit personalisht të gjithë në këtë panair, do të shihnit vetë sesa urtë e të sigurtë janë gjigantët e turizmit. Greqia, Italia, Spanja, vendet arabe me shkëlqimin e paparë, Bavarinë me pasurinë e paparë apo Turqinë që me bakllavanë me stike e llokume të mira pret e përcjell çdokënd që ndalon tek stenda. Të ndjekin nga pas, literalisht, të japin llokume dhe qiqra të pjekura, edhe qiqra në hell po deshëm.

Janë ndryshe, ndryshe nga akulli gjermanik. Por edhe ky i fundit është simpatik, sepse janë dukshëm të pasur, të sigurtë, të pushtetshëm.

Në thelb të gjithë të kujtojnë fuqinë e historisë, eksperiencës dhe ne duhet të shohim e të mësojmë nga më të mirët. Nga fqinjët.

"Venturis Ferries" më thotë se biletat Durrës-Bari- Igumenicë janë të gjitha të shitura për verën.

Arben Cipa, që ka një agjenci turistike, thotë se Shqipëria është hot spot.

Gëzimi nga "Happy Tour" më thotë me gegnishten e tij se nga të gjitha takimet në ITB Berlin i kishte mbetur në mend një zonjë agjente “real estate” që ndërmjetësonte gra amerikane që duan të jetojnë në Europë dhe e shohin Shqipërinë si një mundësi për të blerë një pronë.

Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, më duket tani edhe turistit!

Por Shqipëria është sidomos shtëpia jonë. Mendoj që të gjithë mund të bëjmë për të, edhe pse kjo fjali duket kaq e stërthënë. Asnjë vend nuk bëhet pa dashurinë dhe vëmendjen e të gjithë njerëzve të vet.

*Ndalon ribotimi i Rubrikës "25 rreshtat e Mirës" pa lejen e editorit