
Nga Mira Kazhani/Disa beharë më parë bleva një krem trupi në farmaci. E kam zakon të pyes farmacistët deri në kokëfortësi për produktet që dua. Nuk di të blej pa bindje.
Tani, gjashtë vite më vonë, një farmaciste më shkruan për një event të kremit Caudalie. I thashë po. Dhe meqë këtë krem e kisha blerë një herë e më pas gjithmonë, i premtova se do të isha pjesë e eventit, si gazetare.

Në një cep të Tiranës, në rrugën Tafaj, mes një atmosfere të ngrohtë dhe të kuruar, u gjenda e rrethuar nga kremra, aroma dhe informacione.
Krem nga rrushi? Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë. Një linjë skincare që lind nga vreshtat.
Sa interesante është kjo nga 1 deri në 10?!
Vetë emri “Caudalie” vjen nga universi i verës. Është njësia matëse e kohëzgjatjes së aromës dhe shijes së verës në gojë pasi e ke provuar.
Një caudalie është një sekondë.
Sa më shumë “caudalies” të ketë një verë, aq më cilësore konsiderohet.
Dhe m’u duk e bukur ideja që një markë skincare mban në emër filozofinë e diçkaje që lë gjurmë. Që zgjat.
Ashtu si kujdesi për lëkurën.

Serumi që u prezantua sot shitej çdo 15 sekonda. Edhe pak dhe do të bëhet si lapsi i Victoria Beckham që thuhet se shitet çdo sekondë.
E mora për vete.
Frika ime më e madhe janë njollat. Ose siç i quajmë tani bukur në Instagram: dark spots.

Në rininë time, vera më kthente në hartë nga dielli. Sot gjërat kanë ndryshuar. Sepse tani pyes shumë më tepër. Lexoj më tepër. Dhe ndoshta kujdesem më shumë.
Disa gjëra të tjera m’i mësuan edhe blogeret. Si Odeta Banushaj, që më kujtoi rëndësinë e kremit të natës, atij të syve, dhe patjetër kremit të trupit.

Pastaj vjen pjesa më e sinqertë:
askush nuk mund të të premtojë të njëjtin rezultat. Sepse asnjë nga ne nuk është njësoj.
Por unë i dhashë një shans edhe fytyrës.
Trupi e kishte fituar bastin shumë kohë më parë.