Kujt ia merrte mendja si sot një vit, kur mblidhnim qeset nga dyqanet e supermarketet dhe largoheshim duke thënë ‘vit të mbarë’, se çfarë viti i mbrapshtë po na priste.
Ka përpjekje filozofike, shkrimtarësh, gazetarësh dhe gurush për ta parë këtë vit si një bekim, si një shenjë nga toka, qielli, nga universi, se ne njerëzit e kishim tepruar dhe se bota kish nevojë të ndalte për një çast.
Ky vit, nga dhjetëra leksione, na mësoi t’i hapim rrugë edhe asaj që nuk i besojmë apo ngjajmë. Nuk kemi pse bëjmë boks me çdo gjë që nuk na vjen për shtat. Jemi shumë të lodhur shpirtërisht.
Viti i mbrapshtë na mësoi se megjithë progresin teknologjik, revolucionet digjitale, të gjithfarë app-sesh që krijoi në këto 10 vite të mahnitshme imagjinata dhe truri i njeriut, përparimit të shkencës, të mjekësisë, të robotizimit, të marketingut, të make up-it, globalizmit, sërish jeta njerëzore vihet në rrezik nga një lakuriq nate. Pandemia i hoqi maskën botës, superfuqive dhe i vuri maskat njerëzve, pavarësisht statusit.
Ja ku jemi, një vit më pas, në pritje të vaksinës, me një mori lajmesh pro dhe kundra saj, siç qe edhe fillimi i virusit, me një det paqartësish, që nga OBSH-ja që tregoi se ishte fytyra tipike e institucionit burokratik në Gjenevë. Rroga shumë të majme për të mos ditur një përgjigje për pyetjen e thjeshtë: A ta vëmë apo jo maskën? Është grip apo virus ai i Wuhanit?!
Virusi i hoqi maskën atyre të parëve. Më pas ia hoqi Amerikës, ku për herë të parë pasaporta amerikane pësoi humbjen më të thellë të reputacionit për shkak të deklaratave joserioze të presidentit amerikan, Trump. Nuk kam qenë kurrë në Amerikë, por si çdo shqiptar, kam ndjenjën e komfortit shpirtëror nëse ajo është e para, nëse ajo është mirë dhe pa delire. Ende besoj se nuk ka ardhur koha e perëndimit të saj. Shpresoj të thonë kështu edhe filozofët apo gurutë.
Virusi i hoqi maskën edhe Europës. BE-ja, e ngathët në fillim të pandemisë dhe tronditëse në fundvit, sidomos për ne ballkanasit. Nëse jemi prioritet i BE-së, si mund të mos ishim në një hap për vaksiminim?
Ballkani, nga ana tjetër, edhe njëherë tregoi se sa pak është zhvilluar, më saktë sa mbrapa dhe vonë është.
Tani, edhe pse me maskë, shumë gjëra i shohim më qartë.
E dimë që nuk ka asgjë të sigurt në këtë botë kur vetëm para një viti po flisnim për jetëgjatësinë edhe pavdekësinë. Ndërsa në 2020-ën frika e distopisë dhe vdekjes na mbylli në shtëpi, na mbylli dyer dhe vende pune, takime dhe përqafime. Ca thanë që kjo sfidë botërore do na bëjë më të mirë, të paktën deri tani nuk ka asnjë provë që u bëmë njerëz më të mirë, sipas preludeve. Zor se bota do të vërë mend edhe pas kësaj?!
Virusi është ende mes nesh. Nëse 2021-shi do ta fitojë luftën me të, (të gjithë atë lutje kemi) uroj që të bëhemi gati edhe për të luftuar jo më me vdekjen, por me jetën.
Kemi nevojë urgjente për civilizim jo vetëm teknologjik, formula bukurie dhe pavdekësie, por të bëhemi të përgjegjshëm. Të kursejmë më shumë, të lexojmë më shumë libra, të punojmë më shumë, të mendojmë më shumë, të ketë politika kthimi të trurit dhe t'u japim dinjitet njerëzve të dijes dhe punës. Të ekspertëve, profesionistëve, studiuesve.
Nuk ka as pse bëhemi të gjithë njerëz më të mirë. Do të qe për më tepër e pamundur!
Na duhet një shoqëri e informuar, një politikë e re dhe nuk domethënë se s'bën njerëz të rinj. Të rinj ka plot, e reja nuk shihet.
Kemi nevojë të lexojmë media të besueshme gjithashtu dhe të bëhemi gati për një të ardhme që është më shumë se asnjëherë e pasigurt (pasiguria erdhi atëherë kur kishim rritur besimin për ironi).
Siç e tregoi pandemia, të pasurit ishin një gjethe në dorë të infermierëve. Që të gjithë, pavarësisht se çfarë përfaqësojmë, kur rrinim të izoluar në shtëpi ishin në dorë të njerëzve të thjeshtë e të padukshëm.
Nga ana tjetër kush nuk kërkon status e pasuri në këtë jetë tingëllon po aq i çmendur e patetik, por duhen edhe mësues, mjekë, epidemiologë, shkencëtarë, shkrimtar... Kambanat bien për kë ka veshë t’i dëgjojë.
Kushdo bën analizën e vet. Kjo ishte e imja për këtë vit.
Gëzuar, shëndet e një vit të mbarë! Mbase na dëgjon këtë herë?!
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]