25 Rreshtat e Mirës

Olta Daku si dëshmi e gjallë se i miri s’ka shumë ndjekës

Olta Daku si dëshmi e gjallë se i miri s’ka shumë

...Ose followers themi ne tani. Madje edhe mosha e tretë ka mësuar termat e rrjetit, edhe pse mami im për shembull, termin anglisht "share" (shpërndaj/ndaj) e shqipton siç e lexon: share. Ndërsa "likes"-eve iu thotë edhe më bukur: lajka. A nuk janë të tilla, në fakt?

Kjo, si për të thënë se përtej faktit nëse flasim një apo dy gjuhë, e sigurt është që po jetojmë dy jetë: një në internet, një në realitet. Interneti tregon sa i famshëm je, sa i rëndësishëm je, sa influencues je, sa i dashur je, sa negativ, sa idiot, sa delirant, sa çanta ke, sa ha, sa dyqane ke hapur, sa fustane ke shitur, sa ke blerë, e pafund informacion rreth gjithkujt. Sipas një mendimi të përgjithshëm, ka një konstatim të tipit: sa të vlen lëkura në rrjet e tregon numri i ndjekësve.

Madje, kam lexuar komente se kur duan të fyejnë dikë i thonë: ti me kaq "like" e kaq followers flet? Pra, matesh sa "like", sa followers dhe komente.
Ndoshta edhe kanë të drejtë. Do bëhem si ata, po të flas me absolutizëm për të kundërtën. Ka boll rrjeti mentorë grash, burrash, palestre, të drejtash, make up-i. Nuk e pretendoj!

Ky është një diskutim i madh dhe nuk do të jetë e largët dita kur studimet në këtë lëmë do zbulojnë efektet, pasojat dhe vlerat, pa dyshim.

Unë s’e mbaj mend më as kë ndjek dhe as mbaj përgjegjësi dot për kë më ndjek e për kë ndjek. Një Zot e di sesi herë pas here më shfaqen adresa të çuditshme. Le pastaj kur të shfaqen disa emra të tmerrshëm, që janë ndjekësit e tu. Kur m'i kap syri i heq, por s'jam e punësuar në Instagramin tim dhe nuk e mbroj dot 24 orë. Le të notojë në fatin e vet.

Sot bëra një follow. Një follow që më ndryshoi ditën dhe më uli të shkruaj në "notes" . Quhet Olta Daku!

Olta është një aktore e talentuar, një nga ato personazhe të jetës publike shqiptare që them se i kanë shokët e rrallë. Nuk njihemi dhe nuk është e nevojshme, sidomos tani me internetin, ku takimet, përveçse pune dhe me njerëzit e rrethit të ngushtë, nuk para ndodhin, as lipset. Ti je afër me të gjithë në një kuptim dhe pak a shumë si më vdekjen simbolike të autografit. Tani bëjnë selfie.

Po, pse unë po shkruaj dhe ku është fakti ‘superb’ që një follow të shndërrohet në një shënim, më tepër akoma në një reflektim.

Olta Daku kishte një Instagram terapeutik, komik, artistik, mbi të gjitha atë që pak gjejmë, të vërtetë! Postimet e aktores ishin një kalamendje mes të qeshurës me lot tek një emocion për një aktivitet, shfaqje, mik. Diku një batutë, tjetërkund një mesazh zemre, një shqetësim për një kauzë publike, por të gjitha bashkoheshin në një spango që mbante origjinalitet. Kur sheh adresën e aktores, ripërtërin besimin se jeta online nuk ka degraduar, nuk është vetëm një oqean shpirtrash të trazuar për famë apo për sa më shumë ndjekës, adhurues - këta të fundit janë të parët që do iu braktisin në ditën e vështirë.

Lajm m'u duk fakti që aktorja e talentuar shqiptare Olta Daku kishte mbetur e talentuar edhe në Instagram. Mos habitemi, sepse jeta në rrjet nuk është aq e lehtë. Të jesh vetvetja mund të jetë edhe dramatike, (edhe pse ka një besim të vjetër se ajo të shpëton, në fakt jo gjithnjë. Varet si e ke veten.) plus edhe ata që dinë të mos jenë përfundojnë po aq antipatik. Është ndoshta talent më vete. Sepse çfarë duhet të shohësh sot?

-Të jep gëzim fakti që dikush s'bën si patetik, si i lënguar për komentues, s'përdor tema populiste për t'u bërë i dashur me pahir. Sikundër ndjen keqardhje kur sheh profile që kanë humbur tekstin bashkë me talentin nga presioni online.

Nuk duhet të presim nga të gjithë, por nga raca e Oltës mundësia është më e madhe për të qenë një adresë frymëzuese prej vërteti, jo shfrytëzues temash e ndjenjash grash, fëmijësh apo burrash.

Fuqia do shkojë më e madhe kush kupton për të qenë një adresë frymëzuese prej vërteti, jo shfrytëzues temash e ndjenjash që i lë njerëzit të ndarë. E bardha dhe e zeza! Gratë dhe burrat. Të gjithë gabojmë dhe s`e kemi gjininë avokat.

Kohë e shkuar!

Ndjekësit shkojnë shumë pas çdo gjëje populiste dihet dhe vdesin të qajnë apo fajësojnë dikë. E kanë valvul shkarkuese një gjyq publik, siç tregon rrjeti dhe jo studimet.

Disa siç vdesin të blejnë produkte, aq duan të blejnë edhe informacione për jetën e tjetrit, vuajeristë dhe disfatistë, të pasur dhe të varfër, duan numrat. Po a kanë vlerë numrat, nëse nuk ka shije?

Olta Daku kishte një numër modest ndjekësish (diku tek 37K) krahasuar me çfarë ka rrotull në rrjet, por kishte një dritë dhe fuqi sa për dhjetë adresa me qindra nga pas. Ende kam shijen e mirë të profilit të aktores dhe humorit fin.

P.S. E di që çdo gjë sot bazohet në numra. Edhe në portal vetëm numra iu japim klientëve dhe ky është trishtim i madh. Më i madh se ai i numrave Prim.

Olta Daku si dëshmi e gjallë se i miri s’ka shumë
Olta Daku

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]