
Nga Mira Kazhani/ Sot, përgjatë gjithë ditës, kam menduar: A duhej të shkruaja 25 rreshta për Big Brother VIP dhe reagimin në rrjet?
Me kalimin e kohës, kam nxjerrë mësimin që, ditët e sotme njerëzit e ditur nuk frymëzojnë shumë... as nuk marrin klikime.
Rrjeti që alarmohet, është po ai që gjithë ditën flet për “yjet”, ndahet në skuadra – pro dhe kundra – si te poezia e Ismail Kadaresë, “Laokonti”... ups!
Të mos dish Korabin dhe Drinin, nuk të ndalon të jesh i njohur, të kesh kontrata monetare dhe të jetosh jetën që do.
Boll të kesh followers dhe klikime!
Sa herë kam një podcast që e dua shumë, ndiqet, por kurrë si thashethemet. Kurrë, si jeta e tjetrit!
E di që kam një platformë me reputacion të mirë, sepse ka biseda, jo skandale, por gjithsesi ka ditë që nuk është e lehtë, sepse kjo kohë kërkon “idiotin e ditës”. Të pafatin, dramën, dhe sa më shumë klikime. Kur regjistrova historinë time vjeshtën e kaluar, bëra prerje, sepse nuk doja që lotët e mi të tërhiqnin vëmendje më shumë sesa forca dhe mesazhi im në librin “Një ditë tjetër...”
Me keqardhje, ktheva mbrapsht më vonë ftesa, sepse, në pak dalje kuptova që askush nuk është imun nga klikimet.
Sot më erdhi keq që disa njerëz – të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi institucionale, as morale, u bënë “mish për top” në rrjet kur, në fakt, janë duke ecur sipas standardit të kohës: Famë dhe Pará!