25 Rreshtat e Mirës

Zgjimi i një Nobeli

Zgjimi i një Nobeli

Nga Mira Kazhani/Kam lexuar vetëm një libër të shkrimtares 82-vjeçare Annie Ernaux, "Pasion i thjeshtë".

Por Nobeli për një shkrimtare që ka bërë libra duke u bazuar në autobiografinë e saj, një grua që ia ka dedikuar letërsinë dashurisë, trupit, seksit, abortit, pabarazisë sociale, kohës, memories... dhe e ka bërë duke marrë nga limfa e vet, është një grua e fortë edhe franceze sigurisht. Një grua që ka temat e botës në zemër të letërsisë së saj.

Juria e çuditshme e Oslos e ka menduar mirë se koha e kujt është sot në botë. E gruas!

A mos ndoshta tek ky çmim janë protestat dhe flokët e grave të Iranit?! Ndoshta ky Nobel shkon edhe për të ushqyer pak më shumë kurajon e vajzave që dalin në rrugë, jo kundër burrave, por kundër prapambetjes, poshtërimit.

Për veten e tyre, për lirinë!

Është një çmim që reflekton hakmarrje me regresin e turpshëm që mban flamuri amerikan, ligjin e abortit.

Është një çmim që të kujton se letërsia mbetet ura emancipuese dhe sidomos shëruese e pritjeve të gjata.

Gratë shihen dhe janë në shumicën e rasteve ashtu siç shihen, në durim dhe në pritje. Por jo gjithmonë për një burrë që t’i telefonojë, si ai në librin "Pasion i thjeshtë" i Annie Ernaux, por për më shumë. Respekt, sigurisht!

Ky Nobel vjen si një fanar në një kohë kur edhe burrat jetojnë keq, edhe shoqëria nuk është rehat. Ja, shiheni vetë. Përfytyroni ditën sot, apo javën e fundit. E dini vetë më mirë.

Në një realitet ku fëmijët rriten në ipad dhe politika është në ‘cosplay' tërë kohës. Një jetë ku komunikimi po zbehet dhe rrëmuja po shtohet. Prindërit plaken dhe nuk të mbrojnë dot më, në një botë që është kryekëput ndryshe nga koha e tyre. Asgjë nuk është normale. Mund të jetë më bukur, më keq, por jetojmë në kohërat më të ekzagjeruara.

Dhe në Shqipëri ekzagjerimi është kthyer në normë, veçanërisht.

Ndaj ky Nobel seç ka një shpirt trumpetizmi, një si çelës inxhinieri a zile për botën. Për t’u zgjuar, mbase...