Aktualitet

Babai i Klodian Rashës për dënimin e Hajdarajt: Krimineli u vesh me pektun e viktimës

Babai i Klodian Rashës për dënimin e Hajdarajt: Krimineli u vesh
Qazim Rama, babai i Klodian Rashës

15 vite burg u dënua ish polici Nevaldo Hajdaraj, i cili qëlloi për vdekje Klodian Rashën. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj Hajdarajt reduktohet në 10 vite burg.

Pas dhënies së vendimit nga Gjykata, babai i Klodianit ka folur për mediat në përfundim të seancës dhe thotë se krimineli në këtë rast u vesh me petkun e viktimës, duke mos rënë dakord me këtë vendim. Ai thotë se ky vendim nuk ka lidhje me drejtësinë.

Babai i Klodian Rashës për dënimin e Hajdarajt: Krimineli u vesh
Klodian Rasha majtas dhe Nevaldo Hajdaraj djathas

Qazim Rasha:

'Falënderoj çdo person që trokiti në shtëpinë time. Çdo qytetar që doli në protestë. Problemi është se kjo nuk ishte vrasje e zakonshme ishte makabritet që e kreu një sekt që epitetin njeri nuk ia vendos dot. Ai që ti paguan taksa për të mbrojtur jetën paturpësisht vret një djalë të ri në rrugën e shtëpisë së vet. Pavarësisht ngjarjes, tragjedisë viktima merr pozicionin e kriminelit, krimineli u vesh me pektun e viktimës. Kjo është një ngjarje që tronditi themelet e mbarë shoqërisë jo vetëm të shtëpisë time. Mesazhi im ka qenë vetëm një. Djali im iku, por ky rast të jetë një shembull që edhe ai gjyqtari edhe ju të ruani fëmijët tuaj. Si mund të quash drejtësi kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të rastit jep gjykimin e shkurtuar. Ky rast mund të bëhej shembull sepse është një rast ekzemplar, mendoj që nga kjo drejtësi e re disa llumra duhet të fshihen’.

***

Ngjarja ndodhi me 8 dhjetor të vitit të kaluar. Klodian Rasha ndodhej jashtë orarit të orës policore pranë shtëpisë së tij ku sipas të afërmve kishte dalë për të blerë një paketë cigare. Aty ka ndodhur dhe konfrontimi me efektivin dhe teksa Rasha ka tentuar të largohet me shpejtësi, efektivi e ka qëlluar për vdekje në një distancë prej 5 metrash largësi. Ngjarja shkaktoi protesta për një javë dhe çoi në largimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm.

*Tiranapost.al.