Aktualitet

Besiana Kadare ia jep lamtumirën të atit me poezinë e tij "Kohë e pamjaftueshme"

Besiana Kadare ia jep lamtumirën të atit me poezinë e tij

Me një poezi të shkruar nga vet ai, Besiana Kadare i ka dhënë lamtumirën babait të saj, shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda sot nga jeta në moshën 88 vjeçare

Kohë e pamjaftueshme

S'kam kohë të harroj shumë gjëra

Që nga mendja ti nxjerr përjetë.

Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat

Do t'më duhen së paku dy vjet.

Dhe ndoshta po aq për Danten,

Për frëngjishten tok me plazhet po aq,

Ndoshta gratë do të jem duke fshirë

Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

Si udhëtari me peshë të tepërt

Para avionit që niset pas pak

I ngarkuar rëndshëm ende

Do t'afrohem tek varri humbak.

Nga supet si ta heq këtë barrë?

Ku ta hedh këte peshë, si?

Me të s'mund të zbres atje poshtë

Por as lart dot s'e lë kurrsesi.

I menduar gjer në çast të fundit

Nga mosthënia, nga pengu tragjik,

Një shenjë ndoshta të pakuptueshme

Do t'ju bëj të gjithëve e do ik.

Ismail Kadare