Presidenti Meta dekreton dy ministrat e rinj, Bledi Çuçin dhe Milva Ikonomin

Menjëherë pas dërgimit në Presidencë nga zyra e kryeministrit Rama për dekretimin e emrit të Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm, Presidenti Meta ka dekretuar emërimin e tij dhe shkarkimin e paraardhësit, Sandër Lleshajt.

Gjithashtu, Meta ka dekretuar edhe Milva Ekonomin si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, post të cilin e mbante Bledi Çuçi.

Një ditë më parë kryeministri Rama propozoi dy ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, për të cilat Meta tha se do t’i aprovonte menjëherë sapo t’i mbërrinin në formë zyrtare.

Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm, më 10 dhjetor, pas protestave për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, ngjarje që u shoqërua me një varg protestash në disa qytete të vendit, ku kërkohej largimi i Lleshajt dhe i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

