Ekspertët: Si do të ndikojnë testet e shpejta në kurbën e Covid në Shqipëri

“Testi i shpejtë mund të sjellë ulje të rasteve”, kështu është shprehur epidemiologu i njohur, Ilir Alimehmeti teksa shtoi se nga kjo mënyrë testimi mund të përfitojmë shumë.
Në një lidhje direkte për “Ilva Now” Alimehmeti sqaroi se testi i shpejtë mund të kryhet nga vetë qytetarët, të cilët në këtë mënyrë do të mund të shmangin udhëtimin dhe do të marrin përgjigje shumë shpejt duke ulur edhe më shumë kontaktet.

“Testi i shpejtë mund të sjellë ulje të rasteve. Mund të përfitojmë shumë, kemi një produkt shumë të mirë në dorë, specificiteti i këtij testi është 99.85%, pothuajse absolut në krahasim me PCR-në. Sesitiviteti i testit është 85.48% krahasuar me PCR-në. Është testuar në mënyrë masive po i njëjti test që ka hyrë sot në Shqipëri para një muaji në Sllovaki, u testua 2/3 e shtetit atje dhe në një testim aq masiv bëri një ulje me 82% të prevalencës së virusit në vetëm dy javë. Është një rezultat madhor. Nga pikëpamja jonë informon menjëherë personin nëse është pozitiv ose jo. Mund të bëjnë një kthesë tejet të madhe”, tha Alimehmeti.
Mjeku tha se shumë shpejt ky test mund të blihen në farmaci siç ndodh në disa vende. Ai shtoi se testi mund të përdoret në kushte shtëpie dhe nuk lejohet përdorimi vetëm tek fëmijët.