Ish kryeprokurori Llalla zyrtarisht i pandehur. I hiqet sekuestroja për pasuritë

Ish kryeprokurori Adriatik Llalla është marrë zyrtarisht si i pandehur me akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë. Bëhet fjalë për mosdeklarimin e një shume në Gjermani, që Adriatik Llalla ka thënë se i kishte përdorur për shkollimin e vajzës dhe se këto para ikishte marrë borxh nga një mik i tij.
Ndërkohë që seanca e radhës u mbajt ditën e sotme, raportohet që Adriatik Llalla është duke u kuruar në Turqi, pasi u infektua nga koronavirusi.
Mediat televizive bëjnë me dije ai do të përballet tashmë me drejtësinë, ndërsa Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka vendosur të heqë sekuestron preventive të vendosur ndaj pasurive të tij.
Hetimet për rastin e Adriatik Llallës u ndoqën nga prokurori Klodian Braho i SPAK ndërsa vendimin e dha kreu i Gjykatës së Posaçme, Sandër Simoni.
Por çfarë parashikon Kodi Penal për akuzën e Llallës?
Sipas Kodit Penal akuza bazohet tek neni 257/a paragrafi dytë, ku parashikohet me një marzh dënimi gjobë deri në tre vite burg.
Konkretisht:
"Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet", thuhet në Kodin penal neni 257/a/2.
Pasuria e Llallës që ishte nën sekuestro:
Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;
Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë;
Lidhur me çështjen e ish kryeprokurorit, Departamenti amerikan i Shtetit e ka shpallur non grata, që i ndalon hyrjen në Amerikë bashkë me familjen e tij.
Megjithatë të dhënat që kanë ardhur nga Amerika nuk janë bërë të ditura për mediat.