Ministria e Shëndetësisë njofton për gjendjen e efektivëve dhe protestuesve që u lënduan dje

15 efektivë dhe dy demonstrues, që u lënduan dje gjatë protestës, kanë lënë sot spitalin ku morën mjekimin e duhur. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë njofton se një prej policëve që ndodhet në spital, F.A., 36 vjeç, i cili dëmtoi rëndë njërin sy i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, në shërbimin e Okulistikës dhe do t’i nënshtrohet një ndërhyrje të dytë.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se, gjatë mbrëmjes së djeshme, deri pas mesnate, kanë marrë shërbim në spitalet universitare të Tiranës 16 të lënduar në protestën e dhunshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Janë trajtuar 16 punonjës të policisë dhe dy protestues, ku njëri prej punonjësve të rendit ka dëmtime serioze të syrit.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, punonjësi i policisë me inicialet F.A., 36 vjeç, i është nënshtruar ndërhyrjes së parë kirurgjikale, në shërbimin e Okulistikës, pas dëmtimit të rëndë në sy.
Referuar mjekëve që kryen ndërhyrjen, 36 vjeçari do t’i nënshtrohet një ndërhyrje të dytë, por prognoza është mjaft e rëndë.