Ndalohet kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në Greqi përmes Kapshticës, shkak moti i keq
Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që kanë përfshirë qarkun e Korçës mjetet e tonazhit të rëndë nuk do të lejohen të kalojnë në drejtim të Greqisë deri në njoftim të dytë. Lëvizja e mjeteve të kësaj kategorie do të ndalohet edhe në akset Qafë Thanë-Lin-Pogradec; Qafë Thanë-Përrenjas-Elbasan.
“Duke qenë se territori i qarkut Korçë, është përfshirë nga reshje bore të dendura dhe me qëllim shmangien e problematikave në qarkullimin e mjeteve, informojmë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamiona), se nga autoritetet e policisë greke, në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, nuk do të lejohet kalimi i mjeteve të kësaj kategorie në drejtim të Greqisë, deri në një njoftim të dytë. Gjithashtu nuk do të lejohet kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, edhe në akset Qafë Thanë-Lin-Pogradec; Qafë Thanë-Përrenjas-Elbasan.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore Korçë, kanë shtuar prezencën e tyre nëpër akset rrugore, me qëllim orientimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Të gjitha akset rrugore kryesore aktualisht janë të kalueshme, vetëm me pajisje dimërore. Këshillojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjetit, të respektojnë sinjalistikat dhe rregullat e qarkullimit rrugor, të reduktojnë shpejtësinë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme me qëllim që të mos krijojnë pengesa për borëpastrueset e firmave nënkontraktore në rrugë”, njofton Policia kufitare e Kapshticës.