Nder i kthyer në pandemi : Italia nis në Shqipëri 7 ekspertë dhe 500 mijë maska
Bëhet fjalë për një delegacion italian prej 7 ekspertësh të cilët pritet të mbërrijnë sot rreth orës 12:30 në Shqipëri, për të dhënë asistencën e tyre në përballimin e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë. Mësohet se shtatë ekspertët do të qëndrojnë prej dy javësh në Shqipëri ku do ofrojnë ndihmë shëndetësore dhe teknike në situatën e krijuar me koronavirusin. Ekspertët e Task Forcës së Emergjencave Civile Italiane do të sjellin gjithashtu 500 mijë maska të llojit II, prodhimi i të cilave është autorizuar nga Instituti i Lartë italian i Shëndetësisë.
Kujtojmë se Shqipëria dërgoi dy grupe mjekësh dhe infermierësh në muajt e parë të shpërthimit të pandemisë për të ndihmuar kolegët italianë, ku shifrat me të vdekur dhe të infektuar ishin në nivele alarmante.
Njoftimin e plotë e gjeni si më poshtë:
DELEGACION ITALIAN NË SHQIPËRI PËR MBËSHTETJE SHËNDETËSORE NË LUFTËN NDAJ COVID-19
Është parashikuar të mbërrijë sot, nga Italia, një delegacion për t’i ofruar Shqipërisë ndihmesë shëndetësore dhe teknike në përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 në Vend. Task forca e Emergjencave Civileitaliane e përbërë nga gjashtë ekspertë do të zhvillojë një veprimtari dypalëshe për një periudhë 14 ditore (nga data 30/07 deri në datën 13/08). Grupi i ekspertëve do të zhvillojë veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid.
Krahas grupit të mjekëve dhe të infermierëve, me avionin e Guardia di Finanza i cili është parashikuar të mbërrijë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, sot rreth orës 12 -12.30, do të vijë në Shqipëri edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale të llojit II, dhuratë e strukturës së Komisarit të Jashtëzakonshëm Arcuri prodhimi i të cilave është autorizuar nga Instituti i Lartë italian i Shëndetësisë.
Me mbërritjen në aeroport, Grupi (i përbërë nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes) do të pritet nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, dhe nga Ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.