Nisin hetimet brenda repartit ‘Shqiponja’: Po verifikohet çdo hap i efektivëve dhe si janë rekrutuar

Në repartin ‘Shqiponja’ ka nisur një hetim lidhur me mënyrën e rekrutimit të efektivëve dhe deri tek veprimet policore, pas ngjarjes së 8 dhjetorit kur u vra nga policia 25-vjeçari Klodian Rasha.
Sipas raportimeve, hetimi administrativ prek të gjithë njësinë speciale ndërsa do të ndiqen të gjitha procedurat sesi një efektiv bëhet pjesë e Shqiponjave, cili është kualifikimi i tyre, eksperienca në terren apo dhe detaje të tjera të cilat të bëjnë pjesë të njësisë brenda Policisë së Shtetit.
Hetimi bëhet nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, gjithashtu lidhur edhe me shoqërimin apo veprimet e tjera që kanë ndërmarrë efektivët me qytetarët, bazuar tek ankesat që kanë bërë këta të fundit, po ashtu procedurat që lidhen me kontrollet e personave të dyshimtë apo postblloqet. Gjatë hetimit do të merren në pyetje edhe drejtuesit e këtij reparti.
Të martën e javës së kaluar kur u vra i riu Rasha, raportohet se dy efektivët nuk kishin kamera, pasi sipas dëshmive ishin të dëmtuara. Efektivi Nevaldo Hajdaraj qëlloi me dy plumba mbi 25-vjeçarin, pasi sipas tij nuk iu bind thirrjes për të ndaluar.