Aktualitet

Nuk ka gjurmë të Klodian Rashës tek arma që policia dyshonte se i përkiste atij

Nuk ka gjurmë të Klodian  Rashës tek arma që policia

Në pistoletën që u gjet rreth 100 metra larg vendit ku u vra Klodian Rasha më 8 dhjetor nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, nuk ka gjurmë të gishtërinjve të viktimës. Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se pistoleta, që u dyshua nga policia se i përkiste 25-vjeçarit të vrarë, nuk ka prova që mund të ketë qenë e Rashës.

Sipas grupit hetimor nuk ka shenja gishtash as të personave të tjerë, kjo edhe për shkak të kushteve ku është gjetur, në një pellg me ujë.

Nga ana tjetër, raportohet se arma do të dërgohet në një laborator të specializuar jashtë vendit, për të parë mundësinë e identifikimit të gjurmëve, ose të materialit gjenetik, që mund të bëjnë më vonë edhe identifikimin e zotëruesit të kësaj pistolete.

Familjarët e viktimës kanë deklaruar se i riu nuk ka pasur asnjë armë me vete, ndërsa kishte dalë nga shtëpia vetëm për të blerë një paketë me cigare. Rasha u vra me dy plumba rreth orës 1:00 të 8 dhjetorit nga policia, pasi sipas efektivit që kreu krimin nuk iu bind urdhrit të tij për të ndaluar.