Aktualitet

NYTimes: Shqipëria do të ndërtojë një shtet brenda shtetit për bektashinjtë

NYTimes: Shqipëria do të ndërtojë një shtet brenda

“Shqipëria po planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj”: Në një artikull të gjatë, New York Times rrëfen në detaje nismën.

Bëhet fjalë për një enklavë të stilit të Vatikanit që do të qeveriset nga bektashinjtë. Të paktën kjo është shpresa e klerikut që përgatitet ta drejtojë, Edmond Brahimaj i njohur si Baba Mondi, udhëheqësi kryesor i Bektashinjve.

Nëse gjithcka shkon sipas planit, shteti më i vogël i botës do të lejojë alkoolin, do t`i lërë gratë të veshin çfarë të duan dhe nuk do të imponojë asnjë rregull për stilin e jetesës.

“Zoti nuk ndalon asgjë, prandaj na e ka dhënë mendjen”, shprehet Baba Mondi në intervistë, duke shpjeguar se si synon të udhëheqë tokën prej 11 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën, pasaportat dhe kufijtë e vet.

“Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi”, shton ai.

Kryeministri shqiptar Edi Rama shpjegoi për NYTimes se ka ndërmend t`i shpallë në të ardhmen e afërt planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.

Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi në lindje të Tiranës. Është vetëm një e katërta e madhësisë së Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut.

Një ekip ekspertësh ligjorë, ndërkombëtarë po hartojnë legjislacionin që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë dhe kjo do të duhet të miratohet nga Parlamenti.