Rama detyron furnitorët e naftës: Për tre muaj do humbni ju dhe s`do paguajnë shqiptarët

Në takimin me furnizuesit e naftës, kryeministri Rama sqaroi edhe njëherë se brenda të hënës do të jetë gati plani i menaxhimit të krizës së çmimit të naftës dhe bordi. Megjithatë problemi më i madh, sipas kryeministrit, nuk është çmimi, por mungesa e produktit në treg.
“Nuk do të ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti, që nuk është miratuar nga bordi. Nëse do të ketë ndonjë rast, do të humbasë pikën e karburantit.
Shteti do të hyjë në administrimin e furnizimit dhe tregtimit të naftës.
Problemi më i madh se çmimi është mungesa e produktit.
Nëse zgjat përtej 3 muajve është situatë komplet tjetër. Për këtë situatë, duhet ta ndani mendjen që do rezistoni dhe nuk do fitoni. Kjo është një mundësi për t`u shpëlarë nga çdo mëkat, nëse keni bërë, dhe të çliroheni”, tha në fund të fjalës së tij, drejtuar furnizuesve që kishte përballë në takim.
Po ç`do të thotë mbyllje e pikës?
Në pikën e karburantit që do të vihet re abuzim me cmimin, atëherë ajo do të mbyllet. Kjo pasi kompani të ndryshme të tregtimit të naftës, kanë më shumë se një pikë shpërndarje. Por penalizimi përfshin vetëm degën ku ka abuzim. Nuk është ende e qartë nëse denoncimi do të bëhet nga qytetarët apo do të ketë kontrolle, por as nëse mbyllja do të jetë një pezullim i përkohshëm apo i përhershëm.
Këto janë detaje që ndoshta do të sqarohen nga bordi që do të krijohet brenda 24 orësh.
Ndërkaq ministrja Balluku tha në fjalën e saj se nga nesër do të ketë kontrolle në terren për të verifikuar nëse tregtarët e naftës kanë rezerva tre-mujore, sic e kërkon ligji. Në të kundërt do të gjobiten deri në 50% të vlerës së sasisë që mungon.
Kryeministri e vuri gjithashtu theksin tek problemi me krizën energjitike, duke e konsideruar atë, pandeminë e re.